Ju kumtojmë Lajmin e Mirë – Thirrja e apostujve të parë
Jezusi e fillon predikimin në Galile dhe po aty thërret apostujt e parë. Janë dy çifte
vëllezërish, peshkatarë. Në thjeshtësinë e tregimit të Markut dallohen tri folje të
rëndësishme: Jezusi kalon në bregun e detit të Galilesë, shikon peshkatarët dhe i
thërret. Jezusi nuk ka një shkollë, ku nxënësit shkojnë për të mësuar prej tij doktrinën
shpirtërore. As nxënësit nuk duket se ishin në kërkim të një përvoje të veçantë fetare.
Vendi i takimit me Jezusin është jeta e përditshme. Në Jezusin Hyji kalon pranë njerëzve.
Misteri i mishërimit realizon pikërisht këtë përmbysje: takimi me Hyjin nuk është
përftim i kërkimit njerëzor, por fryti i befasishëm i kërkimit hyjnor. Hyji, duke
e kërkuar njeriun, kalon aty ku njeriu punon për të nxjerrë bukën e gojës. Jezusi
i sheh vëllezërit në barkë. Nuk është shikimi i atij që dëshiron të dijë gjithçka
për njerëzit, për t’i gjykuar. Jezusi sheh se peshkimi nuk u mjafton atyre galileasve.
Hyji sheh pamjaftueshmërinë tonë. Nuk i sheh njerëzit nga larg, as nga lart, por nga
afër, sepse ai është bërë vetë njeri. Prandaj i thërret: “Ejani pas meje! Do t’ju
bëj peshkatarë njerëzish”. Marku na tregon se Simoni, Andrea, Gjoni dhe Jakobi
menjëherë lanë rrjetat, barkën e të atin dhe shkuan pas tij. Gatishmëria e tyre tregon
se ata njerëz të thjeshtë, thellë në zemër, e dinin se ishin të pamjaftueshëm. Rrjetat,
barka, peshkimi dhe prindërit ishin gjithçka kishin, por gjithçka nuk ishte asgjë,
sepse peshkatarët menjëherë i lanë, për të shkuar pas Jezusit. Premtimi i Krishtit
është i madh: “Do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Shpesh herë ky premtim lexohet vetëm
në vështrimin misionar, domethënë si thirrje për të shkuar nëpër botë e për t’i bërë
njerëzit nxënës të tij. Në të vërtetë, Jezusi i thërret apostujt të shkojnë pas tij
e të jetojnë me të, sepse Krishti vetë është njeriu, që duhet të “peshkojnë”. Miqësia
me të është i vetmi burim drite, që na bën t’i shohim të gjithë njerëzit të “peshkuar”
prej tij. Kush jeton me Jezusin, rigjen njerëzinë e vet të humbur. Peshkatarët e Galilesë
shkojnë menjëherë pas Krishtit, sepse kanë nevojë të gjejnë menjëherë kuptimin e jetës,
domethënien e njeriut, qëllimin e vërtetë të ekzistencës mbi tokë. Kush kërkon të
bëhet njeri i vërtetë, shkon menjëherë pas Krishtit, i cili, edhe sot, kalon pranë
nesh, na shikon dhe na thërret.