Ju kumtojmë lajmin e mirë – Jezusi në sinagogën e Kafarnaumit
Menjëherë pas thirrjes së katër peshkatarëve, Jezusi shkon bashkë me ta në sinagogën
e Kafarnaumit dhe fillon të mësojë popullin. Marku thotë se njerëzit ishin të “mahnitur”
nga mësimi i tij dhe vë në dukje autoritetin e Jezusit, përkundrejt mungesës së autoritetit
të skribëve. Mësimi i Jezusit zhvillohet, përgjatë gjithë tregimit ungjillor, brenda
kontekstit judaik dhe është vazhdimisht në kundërthënie me mësimin e skribëve dhe
të farisenjve. Por, Biri i Hyjit nuk ka ardhur për të kundërshtuar skribët dhe farisenjtë.
Ai ka ardhur për të mundur tunduesin, që e mundon njeriun. Shpirti i papastër
e njeh Jezusin, prandaj i thotë: “Çfarë ke me ne?”, “Erdhe për të na rrënuar”, “E
dimë kush je: shenjti i Hyjit”. Jezusi është Zoti prandaj pushteti dhe autoriteti,
të cilin të gjithë e vënë re dhe për të cilin mahniten, është pushtet dhe autoritet
mbi të keqen, që i mundon njerëzit. Me këtë pushtet i drejtohet munduesit të njeriut
dhe i thotë: “hesht!” dhe “dil!”. Pushteti i Jezusit është i themeluar mbi shenjtërinë
e tij: “E dimë kush je: shenjti i Hyjit”. Udha e Jezusit mes njerëzve është udha e
shenjtërimit. Kudo ku kalon ai, “i urdhëron shpirtrat e papastër dhe ata i binden”.
Jezusi nuk ecën mes mëkatarëve me frikën se ata mund ta bëjnë të papastër, siç ndodhte
me skribët dhe farisenjtë, por me sigurinë e shenjtërisë, që i pastron “të papastrit”.
Ajo që e dallon Jezusin nga skribët është pikërisht pushteti i tij mbi mëkatin dhe
të keqen. Ky pushtet i mahnit jerëzit, të cilët e vënë re se ai sjell një “mësim të
ri”. “Mësimi i ri”, për të cilin flet Marku qysh në fillim të tregimit të vet,
është vetë Ungjilli. Nuk është i ri vetëm nga përmbajtja, por mbi të gjitha nga personi
që e sjell. Jezusi vetë është mësimi i ri, i cili mund të përvetësohet vetëm me anë
të besimit. Mësimi i Jezusit merret duke u njohur me Jezusin, duke e ndjekur, duke
e lejuar të të flasë drejtpërdrejt, duke ia rrëfyer atij dobësitë dhe dëshirat e zemrës.
Kush e praon Jezusin si mësimin e ri të Hyjit, pastrohet nga shpirti i papastër dhe
hyn në mbretërinë e themeluar prej tij. Mësimi dhe mësuesi nuk janë dy realitete të
ndara, por një gjë e vetme. Është më e lehtë të pranojmë Jezusin dhe pastaj të mësojmë
të jetojmë sipas tij, sesa të njohim teorikisht doktrinën e Krishtit dhe pastaj ta
pranojmë si Zotin tonë