Atëherë njëri prej të
Dymbëdhjetëve, ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha: “Çka
po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. Që
atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar. Të parën ditë të Bukëve
të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën
e Pashkëve?” Ai u tha: “Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha
ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.” Nxënësit bënë si
u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi u ul
në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po
ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta
pyesnin njëri pas tjetrit: “A mos jam unë, Zotëri?” Ai iu përgjigj: “Ai që po e
ngjyen kafshatën me mua në pjatë, ai do të më tradhtojë. Po, Biri i njeriut patjetër
po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e
tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!” Atëherë
e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij: “A mos jam unë, Mësues?” “E the vetë!” - iu përgjigj
Jezusi. Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve
të vet e tha: “Merrni, hani: ky është trupi im!” Pastaj mori kelkun, u falënderua,
ua dha e tha: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes,
që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. Unë po ju them: që tani nuk
do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi një verë
të re, në Mbretërinë e Atit tim.” Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar
në Malin e Ullinjve. Atëherë Jezusi u tha: “Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin
në mua. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Do t’i bie bariut e delet e tufës do të shpërndahen!’
Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.” Atëherë Pjetri iu përgjigj:
“Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin
në ty!” Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: pikërisht sonte, para se të këndojë
gjeli, tri herë do të më mohosh!” Pjetri i tha: “Po edhe në qoftë se duhet të vdes
bashkë me ty, nuk do të të mohoj!” Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit e tjerë. Atëherë
Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha: “Rrini këtu,
derisa unë të shkoj atje e të lutem.” Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut.
Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej. E u tha: “Shpirtin ma kaploi një trishtim
që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!” Pastaj u largua pakëz,
ra me fytyrë për dhé e lutej: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë
kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.” Dhe u kthye
te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit: “Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar
me mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti,
vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.” Prapë shkoi të dytën herë
e u lut: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë
vullneti yt!” U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar
sytë. I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat
fjalë. Atëherë u kthye te nxënësit e u tha: “Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti
ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet
tradhtari im!” Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve,
e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë
e pleqtë e popullit. Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: “Ai që do të puth
unë - u kishte thënë - ai është! Atë kapeni!” Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha:
“Të falem, Mësues!” - dhe e puthi. Jezui i tha: “Mik, kryej punën tënde!” Atëherë
u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën. Dhe ja, njëri prej atyre që ishin
me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia
preu veshin. Atëherë Jezusi i tha: “Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse
të gjithë ata që kapen për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. A ndoshta ti kujton
se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë
dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit
të shenjtë, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?” Atëherë Jezusi iu drejtua
turmës: “Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë
për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët. Por, të gjitha këto ndodhën
për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.” Atëherë të gjithë nxënësit e lanë
e ikën. Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar
skribët e pleqtë. Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri
brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna. Krerët
e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezusit për
ta vrarë. Por nuk gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund
u paraqitën dy e thanë: “Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit
e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’” Atëherë u çua kryeprifti e i tha: “Ti
s’po përgjigjesh fare për sa këta po dëshmojnë kundër teje?” Por Jezusi heshtte.
E kryeprifti i tha: “Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri
i Hyjit?” Jezusi iu përgjigj: “Ti the! E unë po ju them: Pas kësaj do ta shihni
Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e të Gjithëpushtetshmit dhe duke ardhur
mbi retë e qiellit.’” Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha: “Shau Hyjin!
Ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?”
“Meriton të vdesë!” ‑ iu përgjigjën ata. Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë,
t’i bien grushta e disa të tjerë shuplaka 68 dhe i thoshin: “Na trego, o Krisht, kush
të ra?” Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Dhe ja, iu afrua një shërbëtore
e i tha: “Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.” Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me
këto fjalë: “Nuk di ç’po thua!” Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë,
e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: “Ky ishte me Jezu Nazarenin.”
E ai prapë e mohoi me be: “As që e njoh atë njeri!” Pakëz më vonë, u afruan ata që
ishin aty e i thanë Pjetrit: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra
e të folurit tënd të zbulon!” Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk
e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia
pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit.” Doli
përjashta dhe qau me lot për faqe. Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë
e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje.
E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit. Atëherë
Juda - ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua
ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta e tha: “Mëkatova
që dorëzova gjakun e pafaj!”. “Ç’na lypet neve! - iu përgjigjën ata. - Punë për ty!” Juda
i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar. Kryepriftërinjtë
i mblodhën siklat e argjendta e thanë: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të
Tempullit, sepse janë çmim gjaku.” Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një
vorbëtari për varreza të shtegtarëve. Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’.
Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet: ‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin
e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse
më urdhëroi vetë Zoti.’ E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti:
“A je ti mbreti i judenjve?” Jezusi iu përgjigj: “Vetë po thua!”. E ndërsa kryepriftërinjtë
e pleqtë e paditnin, s’u përgjigj asnjë fjalë. Atëherë e pyeti Pilati: “A nuk po dëgjon
sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?” Jezusi nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu
që qeveritari u habit për së tepërmi. Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte
zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. Tashti, asohere, ishte
i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej (Jezus) Baraba. Atëherë Pilati
u tha atyre që ishin mbledhur aty: “Cilin dëshironi ta liroj: (Jezus) Barabën, apo
Jezusin që quhet Krisht?” Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar
prej smire. Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij e porositi:
“Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr
për shkak të tij.” Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të
kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste. Atëherë qeveritari i pyeti: “Cilin
ndër këta të dy doni t’jua liroj?”. “Barabën” - iu përgjigjën ata. E Pilati i pyeti:
“Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?”
Të gjithë u përgjigjën: “Të kryqëzohet!”.
Por ai u tha: “Ç’të keqe bëri?”. Por ata bërtitnin edhe më fort: “Të kryqëzohet!” Kur
Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë
dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë: “Unë jam i pafajshëm për këtë gjak!
E heqshi ju!” Mbarë populli tha: “Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!” Atëherë
ua liroi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet. Atëherë
ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth
tij tërë kohortën. E zhveshën dhe i hodhën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan
një kurorë ferrash e ia vunë në kokë, ndërsa në dorën e djathtë i dhanë një kallam.
Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë dhe i thoshin: “Të falemi, mbreti
i judenjve!” e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë kokës. Pasi e vunë
në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petkat e tij dhe e çuan për ta kryqëzuar. E
ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan
ta mbarte kryqin e tij. Kur arritën në vendin e quajtur Golgotë, d.m.th. Vendi
i Kafkës, i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta
pijë. Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë mes tyre petkat e tij. Pastaj
ndenjën dhe e ruanin. Mbi kokë ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: “Ky është Jezusi,
mbreti i judenjve.” Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin
në të majtë. Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me kokë në shpoti dhe thoshin:
“Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri
i Hyjit, zbrit nga kryqi!” Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke
e përqeshur, i thoshin: “Të tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është
mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! Ka shpresuar në
Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“ Po
ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të. Që prej orës gjashtë deri
në orën nëntë errësira e mbuloi mbarë tokën. Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë
të madh: “Eli, Eli! Lema sabakthani? - që d.m.th: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë
prej meje!” Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elinë!” Aty
për aty u turr njëri prej tyre, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam
e ia shtriu ta pinte. Të tjerët i thoshin: “Lëre të shohim pale a po vjen Elia për
ta shpëtuar!” E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madh e dha shpirt. Dhe,
ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund
e shkëmbinjtë plasën, varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin
vdekur. Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe
iu dëftuan shumëkujt. Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me
të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, thanë: “Me të vërtetë
ky paska qenë Biri i Hyjit!”
Aty ndodheshin e vërenin prej së largu shumë
gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë që prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. Ndër
to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të
Zebedeut. Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte
edhe ky nxënës i Jezusit. Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati
urdhëroi t’i jepej trupi. Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër dhe
e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në
derë një gur të madh dhe shkoi. Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin
përballë varrit. Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes, u bashkuan kryepriftërinjtë
e farisenjtë te Pilati dhe i thanë: “Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte
ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’ Prandaj urdhëro të ruhet varri
deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit:
‘U ngjall së vdekuri.’ E gënjeshtra e fundit do të jetë më e zezë se e para.” “Rojën
e keni! - u përgjigj Pilati - Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.” Ata
shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.
Misteri
i kryqit: Kulmi i liturgjisë së fjalës është leximi i mundimeve: Ungjilli i mundimeve
është qendra e të dielës së larit, jo procesioni. Degët e larit, apo të ullinjve,
janë shenja me të cilën populli i brohoret mbretit të vet dhe e njeh si Zot shpëtimtar
e çlirimtar. Por mbretërimi i tij do të shfaqet në mënyrë tronditëse mbi kryq. Pikërisht
në këtë skandal të mistershëm të poshtërimit, të vuajtjes, të braktisjes totale, përmbushet
shestimi shpëtimtar i Hyjit. Përballë kryqit, feja lëkundet: pesha e ndëshkimit rëndon
mbi të Drejtin dhe duket sikur ngadhënjen pushteti i padrejtësisë, i dhunës dhe i
të keqes. Shtrohet pyetja: pse kjo masë e padurueshme vuajtjeje dhe dhimbjeje përplaset
kundër Jezusit, të kryqëzuarit, dhe, me të, kundër të gjithë të kryqëzuarve të historisë?
Mbi kryq vdesin të gjitha shëmbëllimet e rreme të Hyjit, që ka pjellë mendja njerëzore
dhe që ne, ndoshta, vijojmë t’i ushqejmë pa u lodhur. Ku është gjithëpushtetësia e
Hyjit, përsosmëria e tij, drejtësia e tij? Pse nuk ndërhyn Hyji në disa situata të
padurueshme? Hyji mbretëron nga druri i kryqit Në drurin e kryqit, breznitë
e para të krishtera kanë dalluar shenjën e mbretërimit të Krishtit. Ungjilltarët nuk
kanë nevojë të presin ringjalljen, për të shpallur fillimin e botës së re. Kryqi është
përplot me risi, është fillimi i një rendi të ri. Edhe pse në pamje të jashtme gjithçka
duket se ka marrë fund dhe forcat e të keqes duket sikur e kanë mundur Jezusin, shenjat
që e shoqërojnë vdekjen e tij tregojnë se diçka e re po ndodh: perdja e tempullit
shqyhet, duke treguar se tempulli i lashtë, me rregullat dhe pritshmëritë e veta,
ka marrë fund. Tempulli i ri është trupi i Krishtit, të cilin Hyji e rindërtoi me
anë të ringjalljes. I pari që do të hyjë në këtë tempull do të jetë një pagan, centurioni.
Me asgjësimin e Birit të Hyjit lind njerëzimi i ri. Misteri i vdekjes bëhet misteri
i jetës dhe i ngadhënjimit. Në këtë të diel të mundimeve, kryqi është pika qendrore
e kundrimit të bashkësisë së krishterë, që tek kjo shenjë lexon projektin e mistershëm
të Hyjit dhe adhuron Krishtin mbret. Mbretëria e tij nuk është sipas skemave njerëzore
të pushtetit dhe tregon se lavdia e Hyjit kalon nëpër rugë që arsyeja njerëzore nuk
i pranon.