2014-04-12 14:46:55

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Luigj Paliqi


At Luigj Paliqi dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit.
At Luigj Paliqi(Janjevë, Kosovë, 21. 02. 1879- martirizuar në Janosh të Gjakovës, më 07. 03. 1913), u vra me atentat nga serbët, ndërsa dom Gjon Gazulli u var nga Zogu në një shesh të Shkodrës, në vitin 1927.

Dëshmor e Martir i fesë
(Parë nga Atë Daniel Gjeçaj)

Atë Luigji, i njohun nga besimtarët me emnin Pater Luzi, lindi në Janjevë, në dioçezë të Shkupit, me 14 prill 1878. Pat që në fëmijëninë e parë dëshirën me u bâ frat. Prandej që në moshën e njomë, 11 vjeçare, u largue nga vendlindja e u nis për Troshan të Zadrimës. Asokohe quhej Mati. Ky ishte emni i pagëzimit. Si kreu mësimet në Troshan, të parët e çuen në Itali ku, me 23 shtator 1896, veshi zhgunin e Shën Françeskut. Në Itali ndej shtatë vjet, derisá kreu studimet në filozofi e teologji dhe u pregatit për misionin meshtarak. Meshën e parë e çoi më 20 prill 1903. U caktue nga të Parët në Baz, 10 orë larg Lezhës. Por nuk e përmbushi afatin e caktuem. U mendue se mund të shërbente shumë ma me fryt si famullitar në viset e Kosovës dhe u dërgue të shërbente në Gllogjan. Filloi me zell të madh shërbimin si barí i shpirtënve, e njëkohësisht mblodhi gurtë, gëlqeren e lânden, që nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të Gllogjanit.
Nga fundi i shkurtit 1913, malazezët filluen persekutimin e shqiptarëve të shkretë, tue nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Katolikët e Gllogjanit, që nepër dorë të Atë Paliqit ia kishin dorëzue armët e veta qeverisë, e që megjithatë vazhdojshin të persekutoheshin, shkuen te famullitari i tyne dhe iu luten të dëshmonte pranë autoriteteve gjyqësore të vendit se ata s’kishin ma armë, se s’kishin çka me dhanë ma. Iu luten edhe të hynte si ndërmjetës për ta, që mos t'i trazojshin ma ndej. Pikërisht për ketë arsye nisen trazimet. Atë Luigji shkoi pa vonesë në Abllanica, një fshat pranë famullisë së tij, që të ndërmjetësonte për besimtarët te kapedani i vendit. Nuk e gjeti. Atëherë, i lajmëruem nga besimtarët se ishte në rrezik, u nis të ankohej pranë autoriteteve qeveritare të Pejës. Mandej u kthye menjëherë në famulli të vet. E paralajmuen se do ta merrshin në polici e se bânte mirë me ikë. Po ai, tue e dijtë se s'kishte kurrfarë fajit, nuk pranoi. E arrestuen dhe e çuen në Pejë e mandej në burgun e Gjakovës. E dërmuen me shplaka e me shkopij, e pështynë, e fyen dhe e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, sbashkut me 52 të burgosur të tjerë, e nisen përsëri për në Pejë. Ishte gjysë i zdeshun, kambëzdathë, i mbuluem me varrë. Dëshmitarët e kësaj ngjarje kanë pohue se ai nuk mund të ecte ma, po ngrehej rrëshanë, i ngacmuem e i shtymë nga ushtarët. I uritun, i këputun, i munduem, nuk pat ma fuqi me vazhdue rrugën. Atëherë një pop, edhe ai i krishtenë, i bâni thirrje të ndërronte fenë, në se dishronte me shpëtue, tue e kërcnue se, po të mos pranonte, ushtarët do t’ia flakojshin shpirtin menjëherë në fund të ferrit. Ai s’u përkul, nuk u thye, as nga premtimet, as nga mundimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosun deri në dhambë se për të feja vlente shumë ma tepër se jeta. Ishte i lidhun kambë e duer me litarë, i mbuluem me njolla gjaku, pa forcë për të qëndrue në kambë. Po forca për me mbrojtë fenë e Krishtit deri në frymën e fundit, nuk i mungoi. E mbytën, tue i falë kështu një martir Kishës katolike shqiptare.
Gazetat europiane të kohës, si përshkruejshin ketë ngjarje të shëmtueme, shkruejshin: “Nuk mund të mendohej se një punë e tillë mund të ndodhte në Europën e shekullit XX!”.
Atë Shtjefen Gjeçovi i pat mbledhë e shënue në një fletore të gjitha dëshmitë, që do të shërbejshin për ta shpallë Atë Luzin, Martir të Kishës katolike. Po shekulli XX do të ishte i ngarkuem me shumë veprime të tjera kriminale, me shumë stuhi të tjera të rrebta për besimtarët katolikë shqiptarë. E këto stuhí e përfshínë ndër vorbullat e veta edhe fletoren e Atë Gjeçovit, i cili gjithashtu do t'i mbyllte i martirizuem ditët e jetës së vet.
Ky ishte, me pak fjalë, Atë Luzi, Martiri, famullitari i parë i Gllogjanit.

Marrë nga Atë Daniel Gjeçajt “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012











All the contents on this site are copyrighted ©.