2014-04-03 12:32:00

Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Daniel Dajani


Atë Daniel Dajani, jezuit shqiptar (Blinisht, Zadrimë, 02. 12. 1906- pushkatuar në Shkodër, më 04. 03. 1946) me shkollë fillore kryer në Blinisht, të lartë, në Torino, u shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri, ku dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm, i zellshëm, i kujdesshëm sidomos në punën për formimin e seminaristëve, u pushkatua me grupin meshtarëve, të seminaritëve dhe të laikëve katolikë në Shkodër, më 04. 03. 1946. RealAudioMP3

Në emër të Lirisë

Sapo shqiptohet fjala liri, çdo njeriu, që ka sadopak kulturë, i kujtohen menjëherë parrullat e famshme të Revolucionit frëng (1789): “Liri, Barazi, Vëllazërim!”.
Po ajo, që ngjall më fort entuziazëm në zemër të njerëzve, është, pa dyshim, fjala “Liri”.
Për filozofin Immanuel Kant (1724- 1804), që njihet si “shqiponja e mendimit njerëzor”, liria nuk është vetëm dhurata më e madhe, por detyrë e çdo njeriu. Për Kantin, të jesh i lirë do të thotë t’i nënshtrohesh ligjit moral.
“Liria nuk është tjetër, veçse mundësi për të qenë më të mirë. Ndërsa robëria, siguri se do të jemi më të këqinj”- vëren shkrimtari i famshëm francez, Albert Camus (1913-1960), në veprën “Rezistencë, rebelim e vdekje”.
“Atje ku është shpirti i Zotit, atje është edhe liria”, i kujton njerëzimit krishterimi, në shekuj.
Në emër të lirisë, më 31 dhjetor 1945, në Seminarin e Jezuitëve, në Shkodër i viheshin prangat atë Daniel Dajanit.
Më 30 janar 1946, në orën 9, Atë Dajani nxirrej para gjyqit, në emër të lirisë. Nuk ishte vetëm. Rrethohej nga 33 të tjerë. Rënduar me akuza aq të ngatërruara, sa të mos kuptohej ç’atentat kishin kryer kundër lirisë, për t’u dënuar, pastaj, me vdekje, në emër të saj. Të pritur e të përcjellë në sallë, me këngën e shëmtuar, tallëse: “... Ca xhakoj, ca jezuitë/ Na u përzienë në politikë/ Ky pader Daniel Dajani/ Kishte qejf t’i ndihej zani/ Gjovan Fausti, burrë i vjeter/ Veç fashizmit nuk don tjeter//.
A mund të quhej atentat kundër lirisë, zgjedhja e rrugës së meshtarisë, mohimi i vetvetes, për të pohuar Zotin e Njeriun?
Poshtërsi, kryerja e studimeve shumëvjeçare me “Cum laude probatur”, për t’u kthyer përsëri në Atdhe, i ngarkuar me dijet e botës së përparuar, për t’i shkarkuar në trojet tuaja?
Faj kundër lirisë, zgjuarësia, vullneti i hekurt, dëshira për të mësuar, thjeshtësia, përvujtëria e fshatarit të thjeshtë nga Blinishti, që pas studimeve u përpoq t’ia jepte popullit të vet, gjithçka kishte fituar në shkollat e huaja? Mëkat, drejtimi i institucioneve më të suksesshme arsimore të Shqipërisë, siç ishin Seminari Papnor e Kolegja Saveriane?
Turp, drejtimi i revistës së parë shqiptare “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, që çonte paqen, atje ku hakërrehej urrejtja, në një vend të ndenjur tepër gjatë nën zgjedhën barbare aziatike, që nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë?
Poshtërsi, ecja e sigurt drejt përsosurisë, në misionin e nisur me bindje e dashuri, në emër të një Zoti, në shërbim të një Populli?
Për këto krime u ngarkua me pranga atë Daniel Dajani, u akuzua, u gjykua e u pushkatua. Koha vijon të vërtetojë se çdo akuzë tjetër ishte trillim e farsë.
Po kush ishte atë Daniel Dajani? Njeriu, që duhej zhdukur, në emër të lirisë? Bir i një familjeje të thjeshtë fshatare, nga Blinishti. Nxënës në Seminarin Papnuer të Shkodrës për nëntë vjet; për shumë vjet të tjera, duke nisur nga 8 korriku 1926, rishtar pranë jezuitëve të Goricies. Student në fakultetin e letrave më 1929-30; të filozofisë në Torino, më 1930-33; Magister e asistent i zëvendës-drejtorit në Seminarin Papnuer të Shkodrës, më 1934.
Profesor i latinishtes e i shumë lëndëve të tjera, nga shkencat humane, tek ato ekzakte, në vijim. Meshtar, më 15 korrik 1938. Në veprimtari apostulluese me misionin shëtitës, në maje të maleve, më 1945, për të çuar edhe në skutat më të harruara të malësisë, Lajmin e mirë, duke iu kundërvënë plagëve të rënda të kohës, posaçërisht, varfërisë e gjakmarrjes.
Ky ishte njeriu, që dënohej, në emër të lirisë, nga njerëz, të cilëve urrejtja dhe etja për hakmarrje ua kishte verbuar aq shumë sytë, sa ta harronin parimin thellësisht njerëzor, që vijojmë ta mësojmë nga tragjeditë e Sofokliut të lashtë pagan: “Nuk duhet urryer kurrë armiku aq, sa të mos mund ta bësh përsëri mik”.
Nga kundërshtarë, që nuk e njihnin e as donin ta pranonin parimin themelor të Ungjillit, bazë e çdo qytetërimi: “Duaje të afërmin, si vetveten”.
Gjyqi, që e dënote Atë Dajanin, në emër të lirisë, vërtetonte plotësisht thënien popullore, sipas së cilës “Nuk ka popuj të mirë, as të këqinj, por në gjirin e çdo populli, ka njerëz të mirë e të këqinj; ka heronj e shenjtorë, por edhe vagabondë e kriminelë”.
Në botën e krishterë, i lirë është ai, që ka të drejtë t’i pranojë ose t’i kundërshtojë lirisht Urdhërimet e Zotit.
Atë Dajani dhe të 33- të, që u dënuan me të, ishin simbole të gjalla të kësaj lirie. Nën thundrën e diktaturës, në pranga e para plotonit të ekzekutimit, ata ia njohën botërisht vetes të drejtën për t’i pranuar haptas “Urdhërimet e Tënzot”. E u pushkatuan si “armiq të lirisë”, duke shkruar me gjak Himnin e lirisë më të kulluar, asaj të shpirtit.
“Oh! Liberté, que des crimes on commet en ton nom!”(Oh, Liri, ç’krime bëhen në emër tënd!), vijon të na kujtojë viskontesha Marie-Jeanne Roland de la Platière, e dënuar me prerjen e kokës, pas rënies së miqve të saj zhirondinë, kur po kalonte para shtatores së Lirisë, nësa përshkonte rrugët e Parisit, drejt gijotinës.









All the contents on this site are copyrighted ©.