2014-03-25 14:41:35

Ju kumtojmë lajmin e mirë


Fjalët e para që thotë Jezusi në Ungjillin sipas Markut janë këto: “Koha u plotësua dhe mbretëria e Hyjit është afër. Kthehuni dhe besoni në ungjill” (Mk 1,15). Marku shënon se Jezusi filloi të predikonte pasi e kishin burgosur Gjonin. Gjoni bën kalimin nga Besëlidhja e Vjetër në Besëlidhjen e re. Si të gjithë profetët e Izraelit, Gjoni mund të shpallte ardhjen e kohës së Zotit, por nuk mund ta deklaronte të plotësuar. Ndryshe nga të gjithë profetët, Jezusi, që është Biri i Hyjit, e sjell me vete plotësinë e kohës, prandaj edhe deklaron: “koha u plotësua”. RealAudioMP3
Koha është ajo përmasë e ekzistencës së njeriut në të cilën vendosen të gjitha përjetimet: gëzimet dhe dhimbja, kujtimet dhe dëshirat, lindja dhe vdekja. Gjithçka, që ka të bëjë me thelbin e jetës njerëzore, kapet në kohë. Askush nuk është i lirë nga ajo. Koha jonë është gjithmonë e mangët dhe, duke u matur me të, bëhemi të vetëdijshëm se jemi një me kohën, prandaj, në kohë, i mangët është vetë njeriu. Koha ka nevojë të plotësohet, sepse njeriu ka nevojë të plotësohet. Të gjithë profetët e kanë vënë në dukje nevojën e njeriut për plotësi, sikurse çdo njeri e ndjen brenda vetes këtë nevojë, por askush nuk ka mundur ta sjellë atë. Krishti, së bashku me plotësinë e hyjnisë, sjell edhe plotësinë e njerëzisë. Ai e plotëson njeriun. Në takimin me të, njeriu gjen çfarë e dinte se i mungonte, por nuk dinte ku ta kërkonte. Ai është plotësimi i kohës dhe i njeriut.
Koha pa Krishtin është një realitet, në të cilin ka rëndësi përmasa sasiore e ekzistencës. Koha mat, vjetron dhe konsumon gjithçka. Ajo që e bën të fortë kohën, është vdekja, e cila ka mbretëruar e qetë deri në ardhjen e Krishtit. Krishti vjen për ta çliruar njeriun nga pushteti i vdekjes, prandaj na jep një kuptim të ri të kohës, sepse e shndërron nga kronos, në kairos, domethënë nga kohë sasiore në kohë cilësore.
Në takimin me Krishtin njeriu gjen plotësinë e kohës, në kuptimin cilësor, dhe çlirohet nga frika e kohës, në kuptimin e saj sasior, sepse e di se vdekja është mundur. Kush takohet me Krishtin dhe e përjeton plotësinë e kohës, e ndjen se “mbretëria e Hyjit është afër”. Krishti ka ardhur për t’i ndihmuar njerëzit që ta lejojnë Hyjin të mbretërojë në jetën e tyre. E gjithë shërbesa e Jezusit, predikimi dhe veprimtaria e tij tokësore ka si synim të vetëm hapjen e zemrës së njeriut ndaj Hyjit. Për këtë arsye, që në fillim të Ungjillit sipas Markut, ai bën këtë thirrje: “Kthehuni dhe besoni në ungjill”.
Thirrja “kthehuni!” nuk është pikë së pari thirrje morale dhe aq më pak moraliste. Fjala greke metanoeite përkthehet më së mirë në shqip me fjalët ndërroni mendje. Krishti ka ardhur për të na dhënë një kuptim të ri të të gjitha gjërave. Kush e ndërron mendjen dhe fillon të mendojë me Krishtin dhe si Krishti, e jeton kohën si të plotësuar, pa frikë se rrjedha e saj e sos jetën. E ndjen pranë mbretërinë e Hyjit, jo sepse bota bëhet e drejtë, por sepse e lejon Hyjin të mbretërojë brenda zemrës së vet. Beson në ungjillin, jo si një libër që përmban të dhëna për jetën e Jezu Krishtit, por si lajmi i mirë i plotësisë së kohës dhe i afërsisë së mbretërisë së Hyjit, që realizohen në takimin me Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.