2014-03-20 15:12:16

Biblioteka e Vatikanit: marrëveshje me NTT Data për dixhitalizimin e 3 mijë dorëshkrimeve


Risi të rëndësishme për Bibliotekën Apostolike të Vatikanit: sot paradite, u nënshkrua një marrëveshje me Korporatën japoneze NTT Data për dixhitalizimin e 3 mijë dorëshkrimeve, në një hark kohor 4-vjeçar. Kjo nismë u paraqit në Sallën e Shtypit nga arkivisti dhe bibliotekari i Kishës, imzot Jean-Louis Bruguès dhe nga prefekti i Bibliotekës, imzot Cesare Pasini së bashku me përfaqësuesin japonez. Projekti i dixhitalizimit të dokumenteve vazhdon tashmë prej vitesh, me synim ruajtjen e 82 mijë dorëshkrimeve, që numërojnë 41 milion faqe. Me 3 mijë dorëshkrimet e fundit, në vitin 2018, Biblioteka e Vatikanit do të ketë 15 mijë dokumente të dixhitalizuara, që mund të konsultohen në internet, falas, nga e gjithë bota. Këto dorëshkrime përfshijnë kultura dhe gjuhë nga Evropa, por edhe nga Lindja e Largët kineze e japoneze e deri nga Amerika parakolombiane. Dixhitalizimi i marrë përsipër nga firma japoneze do të kushtojë 18 milion euro. Kujtojmë se Biblioteka Apostolike e Vatikanit u themelua nga Papa Niccolò V në vitin 1451.








All the contents on this site are copyrighted ©.