2014-03-16 12:41:10

Shenjtorët e javës 16-23 mars


Më 17 mars përkujtohet Shën Patriku. “Kur mbërrita në Irlandë, shkoja çdo ditë për të kullotur dhentë dhe lutesha shpesh, gjatë ditës. Atëherë dashuria dhe droja e Hyjit e mbushën gjithnjë e më shumë zemrën time, mu shtua feja dhe shpirti im lutej gati njëqind herë në ditë e, pothuajse po aq, edhe gjatë natës, se në atë kohë shpirti im ishte krejtësisht i përflakur”. Patriku u lind në Britani, në një familje të krishterë, rreth vitit 358. Rreth moshës 16 vjeçare e rrëmbyen dhe e dërguan skllav në Irlandë, ku kaloi 6 vjet, gjatë të cilëve u përforcua në fe, siç na tregon vetë në fragmentin e Rrëfimeve, që cituam më lart. U arratis nga Irlanda dhe u kthye në atdhe. Kaloi pak kohë në shtëpi dhe u përgatit për shugurimin diakonal e meshtarak. Në moshën 40 vjeçare ndjen mall për ishullin e gjelbër të Irlandës, ku nevojë për misionarë është e madhe. Dikush ia përmend emrin për ipeshkëv, por familja është kundër dëshirës së tij për të shkuar në Irlandë, ndërsa të tjerë thonë se nuk është i përgatitur sa duhet. Në vitin 432 kthehet në ishullin ku kishte qenë skllav. Me një grup shokësh, predikon, pagëzon, krezmon, kremton meshë, shuguron meshtarë, murgj e virgjëra. Suksesi është i madh, por nuk mungojnë as vështirësitë, madje edhe ligësitë e vetë të krishterëve. Atëherë Patriku shkruan Rrëfimet, për të kundërshtuar paditë dhe për të treguar dashurinë e Hyjit, që e ka mbrojtur dhe drejtuar në udhëtimet e rrezikshme. Vdiq rreth vitit 461. Është pajtor i Irlandës dhe i irlandezëve nëpër botë.

Më 18 mars përkujtohet Shën Cirili i Jeruzalemit. U lind në vitin 315, ndoshta në Jeruzalem. Bari i qytetit të shenjtë në vitet 348-386, shërbesa e tij u prek thellë nga kriza e rëndë, që përjetoi Kisha e shekullit IV. I dëbuar tri herë, Cirili, njohës i thellë i Shkrimit të Shenjtë, shkroi vepra të rëndësishme, që dëshmojnë jetën e tij të përkorë dhe kujdesin ndaj katekumenëve.
Më 19 mars përkujtohet Shën Jezefi. Ky kremtim ka rrënjë të thella biblike. Jozefi është patriarku i fundit, të cilit Zoti i flet në ëndërr. Si Jozefi i lashtë, është njeri i drejtë dhe besnik (Mt 1,19), të cilin Hyji e ka caktuar për t’u kujdesur për shtëpinë ku do të lindte dhe të rritej Biri i amshuar.
Më 20 mars përkujtohen martirët e Shën Sabës. Në vitin 797, në manastirin e Mar Sabës, në Palestinë, u martirizuan njëzet murgj, të cilët, gjatë një sulmi të Saraçenëve, vdiqën të mbytur nga tymi i kishës së Nënës së Hyjit.
Më 21 mars përkujtohet Shën Agostin Zhao-Rong. U lind në Kuei-çu, në vitin 1746. Në moshën 26-vjeçare punonte si roje burgu në Vu-çuan, ku gjendeshin të krishterët e dënuar gjatë përndjekjes së madhe të vitit 1772. Ndër ta ishte edhe një meshtar, që ua shpjegonte fenë shokëve të vet të burgut në një mënyrë aq bindëse, sa bëri të besojë në Krishtin vetë rojën e burgut, i cili u pagëzua më 28 gusht, prandaj mori emrin Agostin. U vu në shërbim të misionarëve, të cilët i kërkuan të pagëzonte fëmijët, që rrezikonin të vdisnin për shkak të zisë së bukës. U shugurua meshtar në vitin 1781 dhe u dallua për forcën bindëse të predikimeve. Në vitin 1815 e zbuluan si të krishterë, e arrestuan dhe e torturuan deri sa vdiq. Shën Agostin Zhao Rong, meshtari i parë kinez martir, u shpall shenjt nga Gjon Pali II më 1 tetor 2000.
Më 22 mars përkujtohen Marian Gorecki dhe Bronislav Komorovski, meshtarë dioqezanë polakë. Vdiqën të martirizuar në kampin e përqendrimit nazist të Stutthof-it.
Më 23 mars është e diela e tretë e kreshmës, festa e Zotit








All the contents on this site are copyrighted ©.