BE-ja dhe G7-a i kërkojnë Rusisë të ndërpresë aneksimin e Krimesë
Krerët e vendeve anëtare të G7-ës i kërkuan sot Rusisë të ndërpresë çdo lloj veprimi,
që ka si qëllim aneksimin e Krimesë. Me këtë thirrje u bashkua edhe Parlamenti Evropian,
i cili sot ia kushtoi debatin pikërisht gjendjes në Republikën autonome të Ukrainës.
Pasi përmendi vendimin për të vepruar gradualisht, marrë nga Këshilli i jashtëzakonshëm
Evropian, javën e kaluar, kryetari i Komisionit, Hosé Manuel Barroso sqaroi se në
thirrje, i është propozuar Moskës të nisen bisedime në kuadrin e një grupi kontakti.
Bashkimi Evropian do të marrë masa, nëse në ditët e ardhshme nuk fillojnë negociatat.
Komisioni Evropian vendosi dje ta përkrahë Ukrainën me 1 miliard euro. Ndërkaq,
kryeministri ukrainas, Arseni Jatseniuk u prit sot në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa nesër
do të flasë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shihet qartë se SHBA-të e mbështesin
qeverinë e përkohshme të Kievit dhe e konsiderojnë të paligjshëm referendumin e së
dielës, me të cilin qytetarët e Krimesë do të vendosin nëse duan të bashkohen me Rusinë.
Se ç’rezultate mund të ketë referendumi, e tregon fakti se pa e pritur aspak, parlamenti
i gadishullit autonom votoi dje në favor të pavarësisë së plotë nga Ukraina. Po dje,
Kongresi amerikan dënoi ashpër ndërhyrjen e Rusisë, duke kërcënuar se do të zbatojë
sanksione ekonomike e tregtare, edhe kundër bankave e organizatave shtetërore ruse.
Të dëgjojmë komentin e opinionistit italian Aldo Ferrari, nga Instituti i Studimeve
Politike Ndërkombëtare:
Në këtë pikë, pasi janë bërë kaq shumë hapa në të
gjitha drejtimet – e më lejoni të them se ka pasur gabime të rënda nga të gjithë protagonistët,
që nga Janukoviç, tek Bashkimi Evropian e tek Rusia – nëse duam të shmangim skenarin
më të keq, atë të shkëputjes së Krimesë dhe ndoshta, edhe të rajoneve të tjera rusishtfolëse
të Ukrainës Lindore, me pasoja shkatërrimtare për Evropën e për marrëdhëniet ndërkombëtare,
gjëja më e mirë, megjithëse nuk realizohet lehtë, do të ishte një konferencë e madhe
ndërkombëtare, në të cilën të diskutohet sërish vetë struktura e Ukrainës. Pra, duhet
të kthehemi mbrapsht e të shohim si mund të zgjidhet kjo çështje, pasi që prej 20
vjetësh, Ukraina e pavarur, kështu siç është formuar e ndarë, nuk mund të sigurojë
qëndrueshmëri në vend e në rajon.