2014-03-06 14:16:46

Ukrainë: thirrje e imzot Shevchuk për Bashkimin Evropian


“Kohët e fundit, Bashkimi Evropian ka marrë Çmimin Nobel për Paqen për kontributin e tij në ruajtjen e paqes mbi tokë, veçanërisht në kontinentin evropian, gjatë 60 vjetëve të fundit. Ja përse ju bëjmë thirrje që të mos lejoni shkatërrimin e zemrës së kontinentit, Ukrainës”. Imzot Sviatoslav Shevchuk, kreu i Kishës greko-katolike ukrainase u shkruan kështu vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Thirrja, siç njofton agjencia kishtare Sir, u drejtohet, në veçanti, kryetarit të Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, kryetarit të Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy dhe kreut të Parlamentit evropian, Martin Schulz. “Në vendin tonë – nënvizon imzot Shevchuk – nuk ka asnjë diskriminim me bazë gjuhën, kombësinë apo fenë. Gjatë tre muajve të fundit, Ukraina ka treguar se beson në vlerat demokratike dhe në ato evropiane. Dëshira jonë e thellë dhe e sinqertë është të rivendosen e të zhvillohen marrëdhënie vëllazërore me Rusinë, në frymën e miqësisë e të respektit të ndërsjelltë”.
Kreu i Kishës greko-katolike ukrainase shpreson që drejtuesit evropianë të mos i përgjigjen thirrjes me “plogështi”, por të dinë të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për “të ndalur agresionin kundër Ukrainës”. “Ne besojmë se Zotin nuk e gjejmë tek pushteti, por tek e vërteta. Dhe e vërteta është në anën e popullit ukrainas. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, përfundon letra e imzot Shevchuk.
Ndërkaq, Këshilli Rus i Sigurimit vendosi që, në dritën e votimit të sotëm të Parlamentit të Krimesë për aneksimin e gadishullit nga Rusia, të zhvillohet një referendum më 16 mars. Qytetarët e Krimesë duhet të votojnë për autonomi më të madhe brenda Ukrainës, së paku, tani për tani. Vëzhguesit e OSBE-së, që u përpoqën të arrijnë në Krime, u ndaluan në një pikë kontrolli. Ndërsa, SHBA-të kanë vendosur të bllokojnë dhënien e vizave si për rusët, ashtu edhe për ukrainasit.








All the contents on this site are copyrighted ©.