2014-02-28 19:42:47

Ekumenizmi: Kardinali Koch: “Duhen bërë hapa mbi çështjen e parisë”


“Të sheshohet udha e së ardhmes, për ecjen drejt pajtimit të Kishës së Perëndimit me Kishën e Lindjes, do të thotë të bësh hapa të reja të përbashkëta në çështjen themelore, atë të Parisë së Ipeshkvit të Romës”. Kështu u shpreh Kardinali Koch, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, duke folur këto ditë në Kastel Gandolfo, në kuvëndimin e ipeshkvijve, miq të Lëvizjes së Fokolarëve. “Sinodaliteti e paria, në dritën e nxitjeve të Papës Françesku” titullohej referati, që mbajti Hirësia e Tij në këtë takim. Sipas kardinalit, shpjegon agjencia Sir, çështja nuk është të arrihet në kompromis për emëruesin më të vogël të përbashkët. Duhen diskutuar pikat më të forta, më të vështira për t’u zgjidhur, të të dyja Kishave, duke u mbështetur në faktin se të dyja duan të mësojnë nga njëra-tjetra, duke dhënë provën e parimit themelor të dialogut ekumenik, atij të shkëmbimit të dhuratave. Në këtë drejtim, të dyja palët duhet të bëjnë hapa të reja, për t’iu afruar njëra-tjetrës. Nga njëra anë Kisha Katolike duhet të pranojë se nuk e ka zhvilluar ende në jetën e në strukturat e saj atë nivel sinodaliteti, që do të ishte teologjikisht i nevojshëm. Nga ana tjetër, Kishat ortodokse mund të mësojnë se paria, edhe në nivelin universal të Kishës, është jo vetëm e mundshme dhe telogjikisht e ligjshme, por edhe e nevojshme. Vetë tensionet në gjirin e ortodoksisë tregojnë se duhet reflektuar mbi ministerin e unitetit në nivel universal. Arritja e sintezës së besueshme ndërmjet Parisë e sinodalitetit, theksoi kardinali, varet sidomos nga fakti sesa paria e Ipeshkvit të Romës do të dëshmojë se është edhe pari e bindjes ndaj Ungjillit”. Vetëm në se Ipeshkvi i Romës, tha kardinali, detyra e të cilit është ta bëjë Kishën të impenjohet në bindje ndaj fjalës së Zotit, është ai vetë model shembullor i bindjes e nuk vetëkonceptohet si sundues absolut, me prirjen të ndjekë vetëm idetë e vizionet e veta, sipas kuptimit të një monarkie të tipit politik, as nuk e kufizon shërbimin në një pari të thjeshtë nderi, do të ngjallej vërtet shpresa dhe mundësia që paria e Ipeshkvit të Romës të vihet në shërbim të rindërtimit të Kishës së bashkuar e të pandarë në Lindje e në Perëndim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.