2014-02-21 16:37:31

Ukrainë: Kishat evropiane shqetësohen seriozisht për shkallëzimin e dhunës


Edhe Konferenca e Kishave evropiane (Kek), shqetësohet seriozisht për shkallëzimin e dhunës në Ukrainë. Kek, pohon Gyi Liagre, sekretar i përgjithshëm i organizmit ekumenik, në të cilin bëjnë pjesë 115 kisha të traditës ortodokse, protestante e anglikane të vendeve evropiane, po i nxit Kishat e saj anëtare të luten që të gjitha palët në Ukrainë të ndjekin rrugën e maturisë, pas ngjarjeve të fundit me dhjetra të vrarë e të plagosur gjatë ndeshjeve të dhunshme në Kiev, ndërmjet policisë dhe manifestuesve, gjatë tërë kësaj jave. Konferenca e Kishave evropiane, njofton agjencia Sir, i dënon ashpër vrasjet dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë sa më shpejt për shtendosjen e situatës dhe gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore të krizës në vijim. I ftojmë të gjithë të luten që krerët të zgjedhin rrugën e bisedimeve, e jo atë të dhunës, për të gjetur zgjidhjen politike të krizës e të bashkohen kundër rrezikut të shkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, që i godet të gjitha shtresat e shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.