2014-02-21 16:37:44

Patriku Bartolomeu: në Ukrainë duhet të fitojë dialogu e ndërmjetësimi


Edhe patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, bëri sot thirrje që t’i jepet fund gjakderdhjes në Ukrainë. Me zemrën e lënduar nga dhimbja, shkruan Patriku në një mesazh, rimarrë nga agjencia Sir, ndjekim vijimin, madje shkallëzimin e situatës tragjike në Ukrainë gjatë këtyre javëve. I ndjejmë vëllezërit e motrat e Ukrainës, si të ishin korpi e gjaku ynë. Patriku u bën thirrje për paqe autoriteteve të këtij kombi demokratik e të pavarur, ku liderët e zgjedhur – si të qeverisë, ashtu edhe të opozitës- kanë përgjegjësi kryesore për të mbrojtur dinjitetin dhe jetën e qytetarëve të vet. Nuk ka hapësirë për dhunë brutale e për gjakderdhje në një komb demokratik të shekullit të 21-të! Bartolomeu dënon çdo formë dhune e agresioni ndërmjet policisë e manifestuesve, që çon në humbjen e kotë të jetës së njerëzve të pafajshëm. Të gjitha palët duhet të mos kursejnë asnjë përpjekje, që të fitojë dialogu mbi dhunën, ndërmjetësimi, mbi forcën. Nuk ka kurrë hapësirë për shpërdorimin e pushtetit, në një komb me rrënjë të thella të krishtera, që nisin qysh nga mijëvjeçari i parë i krishterimit. Patriku uron të gjindet sa më shpejt rrugëzgjidhja paqësore dhe e arsyeshme. Në përfundim, u kërkon besimtarëve të luten e të agjërojnë për paqen e popullit të shumëdashur e të çmuar të Ukrainës.








All the contents on this site are copyrighted ©.