2014-02-20 14:28:14

Viktima të tjera në Ukrainë: boshatiset selia e qeverisë


RealAudioMP3 Vetëm sot paradite, në Ukrainë humbën jetën në ndeshjet me policinë, 37 vetë, që u shtohen 25-ve të ditës së djeshme. Kryebashkiaku i Kievit jep dorëheqjen nga partia e Janukoviçit, ku bënte pjesë, duke deklaruar se është gati “të bëjë ç’është e mundur për të ndalur gjakderdhjen e vëllavrasjen në zemër të Ukrainës”. Pallati, ku e ka selinë qeveria, boshatiset për arsye sigurie. Sot, në Ukrainë, është dita e marrjes së “masave të jashtëzakonshme antiterrorizëm”, siç komunikoi Ministria e Mbrojtjes, e cila lajmëroi edhe për ndërhyrjen e mundshme të forcave të armatosura.
E ndërsa Evropa e NATO-ja po përpiqen t’i vënë pritë rrezikut të luftës civile, për Rusinë, qeveria aktuale është plotësisht e ligjshme, në gjendje të mbrojë interesat e vendit. Nga Ukraina, i morëm një intervistë Danilo Eria-s, analist i medias në internet “Observatori i Ballkanit”:
Këtu, njerëzit vërtet kanë frikë se mund të ndodhë më e keqja. Edhe sepse zhvillimet e fundit dëshmojnë për tërheqje të forcave të sigurisë, gjë e çuditshme, pasi dje e pardje, patën marrë në dorë pothuaj krejt sheshin. Mendohet se mund të jetë një lëvizje enkas për t’i hapur rrugën ndërhyrjes së ushtrisë. Pavarësisht nëse kjo do të ndodhë apo jo, është shenjë se njerëzit mendojnë tashmë vetëm për keq.
Ndokush në mediat ndërkombëtare vë në dukje se Ukraina mund të ndahet më dysh. A ekziston ky mendim edhe ndër njerëzit e thjeshtë?
Jo, në të vërtetë, jo. Përkundrazi, njerëzit e ndjejnë veten shumë të bashkuar. Edhe provincat lindore, tradicionalisht filoruse, pranë partisë së presidentit, po tregojnë solidaritet me manifestuesit. Pa dyshim, ndjehet shkëputja e fortë nga klasa drejtuese, madje, edhe nga krerët e opozitës.
Cili është objektivi: largimi i kësaj klase drejtuese?
Po, largimi i kësaj klase drejtuese. Objektivi kryesor është presidenti Janukoviç, si figurë dhe si simbol i një klase drejtuese shumë të korruptuar. Njerëzit, popullsia thonë se politikanët janë krejtësisht larg realitetit të vendit.
Danilo, ju jetoni prej kohësh në Ukrainë. Sipas jush, cilat janë problemet e këtij shteti?
Ekonomia e Ukrainës është vërtet në prag të falimentimit e dita-ditës, monedha lokale humb pikë në krahasim me dollarin dhe me euron. Kjo do të thotë se njerëzit kanë më pak fuqi blerëse, e cila, edhe më parë, nuk ishte e madhe. Kalimi nga komunizmi në ekonominë e tregut ka qenë shumë i shpejtë, pa krijuar më parë një rrjet mbrojtës për njerëzit, të cilët jetojnë me paga shumë të ulta.
Këto janë ditë të përgjakshme për Ukrainën. Cilat janë skenat që ke parë personalisht në Kiev?
Ka pasur skena të shëmtuara dhune, por që dilnin, si të thuash, nga “barku” i njerëzve. Megjithatë, kam parë edhe skena solidariteti të jashtëzakonshëm. Në prapavijat e sheshit, kthyer në fushë të vërtetë beteje, në kamp ushtarak, ka shumë solidaritet: gratë që gatuajnë, vajzat që shpërndajnë ushqimin, pika ndihme shëndetësore të improvizuara… Njerëzit më shohin të huaj e më thonë shpesh që Bashkimi Evropian duhet të shpejtojë e të bëjë diçka. Që diplomatët, krerët shtetërorë, duhet t’u japin fund fjalëve e të veprojnë menjëherë për të ndalur gjakderdhjen. Natyrisht, njëra apo tjetra palë, edhe në perëndim, e interpreton në mënyra të ndryshme ç’po ndodh. Rusia i përshkruan manifestuesit si terroristë, që përpiqen të bëjnë grusht shteti. S’ka dyshim se ka njerëz të dhunshëm, që duan rrëmujë e ndeshje me armë, por pjesa më e madhe e popullsisë kërkon ndryshimin e klasës drejtuese.








All the contents on this site are copyrighted ©.