2014-02-19 12:29:57

Së paku 25 viktima në ndeshjet me policinë në Ukrainë


Tension tepër i lartë në Ukrainë. Në ndeshjet e djeshme ndërmjet manifestuesve dhe policisë në Kiev, gjetën vdekjen 25 vetë dhe u plagosën 241 të tjerë. Ndërkaq, në Lviv, protestuesit kanë marrë në dorë qendrat e pushtetit. Sot paradite, kryeministri i përkohshëm, Arbuzov, akuzoi opozitën se po organizon një grusht shteti. Reagon më në fund Evropa, mollë sherri ndërmjet presidentit ukrainas Janukoviç, që e do vendin të lidhur me Rusinë, e manifestuesve, që e duan të integruar në Bashkimin Evropian. Përfaqësuesja e lartë evropiane për politikën e jashtme, Catherine Ashton, do të mbledhë nesër në seancë të jashtëzakonshme ministrat e jashtëm të 28 vendeve anëtare për të diskutuar mbi “përkeqësimin tragjik të gjendjes në Ukrainë”, siç e quajti vetë. Parashikohen sanksione.
Gjendja në Ukrainë u keqësua të hënën, kur Moska deklaroi se është gati të rinisë dhënien e kredive, që i duhen ekonomisë. Opozita e priti këtë si sinjal përkrahjeje për presidentin Janukoviç, që sipas saj, mund të zgjedhë një kryeministër filorus. Sot Kievi u zgjua me tymin e flakëve të barrikadave në sheshin e Pavarësisë (Mejdani, siç e quajnë manifestuesit). Disa pallate të qendrës janë boshatisur nga frika e zjarrit. Autoblindat qeveritare u detyruan të tërhiqeshin, pasi protestuesit i ndalën me bomba molotov. Disa barrikada u kanë qëndruar edhe buldozerëve. Gjatë natës, përpjekja e dëshpëruar për pajtim ndërmjet presidentit Janukoviç dhe krerëve të opozitës, nuk dha asnjë rezultat. Lideri ukrainas kërkon largimin e manifestuesve nga Mejdani, por disa grupe radikale janë tashmë jashtë kontrollit. Kievi është izoluar nga pjesa tjetër e vendit, ndërsa fillojnë ndeshjet edhe në Lviv e në Ternopil. “Nuk i duhet askujt lufta civile në Ukrainë”, komentoi kryeministri polak Tusk, ndërsa ministri i jashtëm suedez, Karl Bildt, akuzoi presidentin Janukoviç se i ka lyer dyart me gjak. Gjermania u shpreh në favor të sanksioneve kundër autoriteteve të Kievit, ndërsa Rusia vuri në dukje se gjendja është rezultat i politikës perëndimore në vend.







All the contents on this site are copyrighted ©.