2014-02-18 14:16:58

Bukuria e mistershme: Mikelanxhelo Buonarroti, në 450-vjetorin e vdekjes, me fjalët e Papës Pali VI


Kremtohet sot, 450-vjetori i vdekjes së Mikelanxhelo Buonarrotit, i cili lindi në Kapreze Mikelanxhelo më 6 mars 1475 dhe ndërroi jetë në Romë, më 18 shkurt 1564. Protagonist i padiskutueshëm i Rilindjes Italiane, i famshëm në të gjithë botën për kryeveprat në skulpturë, si Davidi e Moisiu; në arkitekturë, si Kapitoli i Romës me sheshin e tij të famshëm, në mesin e të cilit ngrihet statuja e Mark Aurelit, e në pikturë, si Gjykimi i Mbramë, që zbukuron pjesën e fundit të Kapelës Sikstine. Viti 2014 i kushtohet pikërisht këtij artisti të madh e do të karkaterizohet nga veprimtari të shumta e të pasura, që do t’i shoqërojnë artdashësit deri në dhjetor 2014.
Ndër më kryesoret, nga 18 shkurt deri më 18 maj 2014, në Galerinë e Akademisë së Firences “Të ri-njohim Mikelanxhelon”, ndërsa deri në prill, në Shtëpinë-muze të Vasarit në Firence, mund të vizitohet ekspozita “Marrëdhëniet ndërmjet Mikelanxhelos e Vasarit në letra e vizatime”. Po në Firence, në Shtëpinë Buonarroti, do të hapen dy ekspozita: “Forca e mitit – projektet për fasadën e Shën Lorencit në Firence” (18 mars – 2 qershor 2014) dhe “Mikelanxhelo e vitet ‘900” (18 qershor – 20 tetor 2014). Po e kujtojmë sot artistin e madh toskan, skulptor, piktor, arkitekt, e madje edhe poet, me fjalët e Papës Pali VI, që i vë në dukje jo vetëm aftësitë, por edhe forcën shpirtërore, që e ndihmoi të bënte kryevepra, si Kapela Sikstine, katekizëm i vërtetë për çdo vizitor.
“Na pëlqen ta imagjinojmë artistin – thoshte Papa në homelinë e meshës për 500-vjetorin e lindjes së Mikelanxhelos - duke u sjellë në hapësirat solemne arkitektonike, të cilat e panë për vite të gjata, në periudha të ndryshme të jetës e në momente të ndryshme të veprimtarisë artistike, mbi skelat e punës, në shoqëri me poemën e tij të jashtëzakonshme në pikturë, për të cilën, ashtu si për poemën e Dantes, bashkëpunuan qielli e toka. Kush i sheh ato sekuenca pikture, pyet veten ç’marrëdhënie mund të ketë me ne ai popull figurash energjike: ne vijmë pas disa shekujsh e si shoqëria, ashtu edhe bota e krishterë, kanë probleme shumë më të ndryshme se atëherë. E megjithatë, Sikstina na jep, si të thuash, një raport mbi luftën e fitoren, gati një botë ‘in fieri’(në zhvillim), ku bijtë e dritës, për hir të karakterit sakramentor të tyrin, luftojnë me guxim e pa u lodhur për triumfin e së vërtetës.
Këtu, më tepër se kudo, format janë në funsion të drejtpërdrejtë të ideve fetare. Mund të qëndrojmë të mahnitur para turmës së Sikstinës, evokuar nga gjenia e Mikelanxhelos, por nuk mund të lihet mënjanë dëgjimi i Fjalës [së Zotit], e cila dallohet aq mirë në sjelljen e trupave e në shprehjet e fytyrës: ka engjëj, profetë, Apostuj, Papë, martirë, dëshmitarë të fesë, bota e Sibilave. Mbizotëron sovrane, figura e Zotit, e një Hyji të drejtë e të mëshirshëm, që njerëzimit të prishur, i ofron ndihmën e shëlbimit për një jetë të re. Lidhja, në skenarin e pamasë, është Bibla, që del në pah me vlerat e saj të shenjta përmes imazheve, të cilat, me gjuhën e tyre figurative, i japin një kontribut poezie e profecie ekzegjezës së teksteve kishtare.
Mikelanxhelo është protagonisti, demiurgu i këtij predikimi të madh fetar, që ne, jo më pak se njerëzve të kohës së tij, na duket i mrekullueshëm për guximin e konceptimit ikonografik e për fuqinë shprehëse. Nuk ka fjalë njerëzore, që mund të zgjojë kaq emocione, që të bën të reflektosh e të meditosh kaq thellë, sa paraqitja e e atyre të vërtetave nga Buonarroti. Kapela Sikstine, me Gjykimin e Mbramë (apo Gjykimin Universal), bëhet kështu, gati një libër i hapur për njerëz të mësuar e për mendje të pakultivuara, për besimtarë e jo besimtarë, si edhe një thirrje e frytshme për popullin e Zotit që të vazhdojë të jetojë siguritë e Ungjillit, për të mos rënë si ‘foshnja, përplasur nga tallazet e doktrinave, që me dredhi i hapin udhën gabimit’(Ef 4,14-15) ”.








All the contents on this site are copyrighted ©.