2014-02-13 13:35:30

Evangelii gaudium - Sfidat e Kishës


Në përfundim të kapitullit të dytë të thirrjes apostolike Evangelii Gaudium, edhe sot marrim në shqyrtim tundimet e punëtorëve baritorë. Të enjten e kaluar pamë disa nga këto tundime, si individualizmi, kriza e identitetit, relativizmi praktik, amullia dhe pesimizmi. Një tjetër tundim i rrezikshëm në jetën baritore është ai që Papa Françesku quan “mondaniteti shpirtëror”, i cili “fshihet pas dukjes fetare, madje edhe të dashurisë për Kishën” dhe “kërkon, në vend të lavdisë së Zotit, lavdinë njerëzore dhe mirëqenien personale” (n. 93). Mondaniteti është ajo sjellje me të cilën krijojmë fasada të rreme, përpiqemi të dukemi çfarë nuk jemi dhe, “meqë lidhet me kërkimin e dukjes, jo gjithmonë shoqërohet me mëkatet publike dhe, përjashta, gjithçka duket në rregull” (n. 93).RealAudioMP3
Dy janë mënyrat me të cilat shfaqet ky tundim: 1) gnosticizmi, ose kërkimi i fesë duke u mbyllur në vetvete, në ndjekje të arsyetimeve apo ndjenjave vetjake, dhe 2) neopelagjianizmi, përsëritja e herezisë, sipas së cilës feja jetohet duke u mbështetur në forcën e virtytit vetjak, duke mbetur “besnikë të palëkundshëm të një farë stili katolik, që i përket të shkuarës” (n. 94).
Dy janë edhe rrafshet në të cilat shfaqet dhe vepron: 1) kujdesi i tepruar për të vënë në dukje liturgjinë, doktrinën dhe prestigjin e Kishës, duke u shkujdesur për vendin e Ungjillit brenda popullit të Hyjit, dhe 2) kujdesi për të vënë në dukje arritjet në rrafshin shoqëror e politik, duke u mburrur me aftësitë administruese. Në këto raste, përfituesi “nuk është populli i Hyjit, por Kisha si organizatë” (n. 95). Kush bie në këtë tundim, shkëputet nga populli i Hyjit, “shikon nga lart e nga larg, nuk e pranon profecinë e vëllezërve, përçmon ata që bëjnë pyetje, vë gjithnjë në dukje gabimet e të tjerëve dhe ka maninë për t’u dukur” (n. 97). Cili është shërimi për këtë sëmundje të Kishës? “Ky mondanitet mbytës shërohet duke shijuar ajrin e pastër të Shpirtit të Shenjtë, që na çliron nga përqendrimi tek vetvetja, të fshehur pas dukjes fetare, ku vendi i Hyjit mbetet zbrazur” (n. 97).
Mondaniteti shpirtëror shkakton një tjetër dëm, sepse “i bën disa të krishterë të jenë në luftë me të krishterë të tjerë, të cilët i kundërvihen kërkimit të tyre për pushtet, prestigj, kënaqësi ose siguri ekonomike” (n. 98). Kështu nuk i përkasin më tërë Kishës, por një grupi të vogël, me të cilin i bashkojnë interesat e kota. Duke parë me dhimbje se bota është e ndarë dhe e copëtuar, për shkak të individualizmi, që i shtyn njerëzit ta kërkojnë mirëqenien vetëm për vete, Papa kërkon që të krishterët e të gjithë botës të japin “dëshminë e bashkimit vëllazëror, që bëhet tërheqëse dhe ndriçuese” (n. 99). Ndasitë, që burojnë nga mondaniteti shpirtëror, mund të tejkalohen me anë të faljes, thotë Papa, i cili shkruan: “Më dhemb shumë kur vërej si në disa bashkësi të krishtera, madje edhe mes njerëzve të shuguruar, ka vend për forma të ndryshme të urrejtjes, për ndasitë, shpifjen, për fjalë të këqija, hakmarrje, smirë, për dëshirën për të imponuar idetë vetjake me çdo kusht, deri tek përndjekjet, që duken si një gjueti shtrigash e pandalshme” (n. 100). Për t’u shëruar nga kjo sëmundje, Papa Françesku na kërkon “të lutemi për personin me të cilin jemi të zemëruar”, sepse “është një hap i bukur drejt dashurisë” (n.101).
Një sfidë tjerët për Kishën është laikati, që është “thjesht shumica e pafundme e popullit të Hyjit” (n. 102). Shpesh herë laikati kufizohet në zbatimin e detyrave brenda Kishës, “pa një angazhim real për ta zbatuar Ungjillin, duke e ndryshuar shoqërinë” (n. 102). Mosgjetja e mundësisë së laikatit për t’u shprehur si duhet brenda Kishës dhe në shoqëri, buron edhe nga “klerikalizmi i tepruar”, që i lë laikët “mënjanë vendimmarrjeve” (n. 102).
Një tjetër fushë ku Kisha ka nevojë të kuptojë më mirë si duhet të veprojë është ajo e rolit të gruas brenda saj: “është ende e nevojshme t’i zgjerojmë hapësirat, për një prani femërore më gjurmëlënëse në Kishë” (n. 103). Duke u vënë në vazhdën e traditës së Kishës për sa i përket meshtarisë së grave, Papa Françesku thotë se meshtaria është për burrat, “si shenjë e Krishtit Dhëndërr, që dhurohet në Eukaristi” (n. 104), dhe kujton se meshtaria nuk është dinjitet, por funksion, sepse “dinjiteti i madh vjen nga pagëzimi, të cilin të gjithë mund ta marrin” (104). Sfida e madhe e Kishës është ajo e gjetjes së “rolit të gruas atje ku merren vendimet e mëdha, në rrafshet e ndryshme të jetës së Kishës”.
Të rinjtë dhe kriza e thirrjeve janë dy sfidat e fundit, të shqyrtuara në këtë dokument.








All the contents on this site are copyrighted ©.