2014-02-05 15:31:21

Siri. Thirrja e jezuitit hollandez nga Homsi: “po vdesim urie”


Në Homs, në qytetin e vjetër sirian, njerëzit vdesin urie. Denoncimi i trishtuar bëhet nga jezuiti 75-vjeçar, atë Frans Van der Lugt, i cili i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë. Javës së kaluar, ndërsa në konferencën “Gjeneva 2” për paqen në Siri, diskutohej mbi korridore humanitare, në internet vendosej videoja e meshtarit, të ulur para elterit të kishës së vet, që i kërkonte me forcë botës të mos i harrojë sirianët që vuajnë, mjaft prej të cilëve “çmenden nga uria”.
Qyteti i lashtë i Homsit, ku banojnë disa mijëra vetë, është në dorën e rebelëve që nga qershori 2012. Rrethimi i tij nuk lejon hyrjen e ushqimeve. Bombardimet e çekinët e bëjnë gati të pamundur daljen në rrugë. Meqë videoja është regjistruar në zonën e rebelëve, shumë e quajtën partizanëri të atë Van der Lugt, të cilit as që i shkon nëpër mend të rreshtohet me njërën, apo me palën tjetër.
Lindur më 10 prill 1938 në Hollandë, atë Frans hyn në Shoqërinë e Jezusit më 7 shtator 1959 e shugurohet meshtar më 29 maj 1971. Jeton në Siri që nga viti 1966, duke u shërbyer veçanërisht të rinjve. Në Homs është vikar ipeshkvnor (por jo ipeshkëv) për besimtarët e krishterë latinë të rajonit. Para luftës, thotë në video, në qendrën historike të qytetit jetonin 60 mijë të krishterë. Tani, ai vetë u shërben vetëm 66 besimtarëve. Pa lëvizur asnjë ditë nga shtëpia e jezuitëve, atë Frans ka pritur të krishterë e myslimanë, pro-regjimit e rebelë. Dhjetra vetë janë vendosur aty prej muajsh. U ka dhënë të gjithëve të hanë, por kohët e fundit nuk ka më as një copë bukë.
“Të krishterë e myslimanë – thotë në video – jetojmë në kushte të vështira e të dhimbshme e, sidomos, vuajmë nga uria”. Meshtari dëshmon se ka parë fëmijë të vdesin nga mungesa e ilaçeve. Në një copë letër të zverdhur, pranë elterit, ai vetë ka shkruar: “të vdesësh nga uria është më e dhimbshme se të vdesësh nga armët kimike”. Ironi e hidhur për mobilizimin ndërkombëtar kundër armëve kimike në Siri e për gjakftohtësinë me të cilën, në konferencën “Gjeneva 2”, nuk u arrit asnjë marrëveshje për hapjen e korridorit humanitar, pikërisht në Homs. Damasku pranoi t’i linte të largohen nga zona gratë e fëmijët, ndërsa burrat duhej të regjistroheshin. Rebelët patën frikë hakmarrjen, ndërsa gratë s’deshën të largohen nga bashkëshortët, prandaj rrethimi vazhdon, duke bartur ngarkesën e rëndë të urisë e të çmendurisë.
Sipas atë Van der Lugt, i cili është edhe psikiatër, uria po i çmend njerëzit, që vuajnë nga sëmundje mendore, nevroza, panik, psikoza të ndryshme e skicofreni. Në intervista të publikuara në “Telegraph” dhe në “Orient le Jour”, atë Frans shprehet se nuk ka besim në dialogun për paqe, që duhet të rifillojë javën e ardhshme. Sipas tij, delegacionet që mblidhen në hotelet e mëdha të Montreux apo të Gjenevës, “flasin për ne – nënvizon – por nuk jetojnë me ne. Duhet të flasin për atë që mendojmë ne e jo për atë, që është e mirë për ta”. Për meshtarin jezuit, regjimi e rebelët duhet të punojnë për të pasur besim tek njëri-tjetri, vetëm atëherë mund të fillojë dialogu i vërtetë. Në të kundërt, ironizon sërish atë Van der Lugt, bisedimet nuk do të ecin, kudo që të mbahen, në Gjenevë, Paris, Londër apo Honolulu.








All the contents on this site are copyrighted ©.