2014-02-05 15:11:43

Komunikata e Selisë së Shenjtë për Vërejtjet e OKB-së mbi respektimin e të drejtave të fëmijëve në Vatikan


Në përfundim të seancës së tij të 65-të, Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve botoi Vërejtjet Përmbyllëse mbi shqyrtimin e Raportit të Selisë së Shenjtë dhe të pesë Shteteve Anëtare të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve (Kongo, Gjermania, Portugalia, Federata Ruse dhe Jemeni).
Sipas procedurave të veçanta të parashikuara për anëtarët e Konventës, Selia e Shenjtë i merr parasysh Vërejtjet Përmbyllëse mbi Raportet, të cilat do të studiohen imtësisht dhe do të shqyrtohen, në respekt të plotë të Konventës, në rrafshet e ndryshme të paraqitura nga Komiteti, sipas të drejtës dhe praktikës ndërkombëtare, sikurse edhe duke mbajtur parasysh debatin publik me Komitetin, që u zhvillua më 16 janar 2014.
Megjithatë, Selia e Shenjtë vëren me keqardhje se në disa pika të Vërejtjeve Përmbyllëse ka një orvatje për të ndërhyrë në mësimet e Kishës Katolike mbi dinjitetin e personit njerëzor dhe në ushtrimin e lirisë fetare.
Selia e Shenjtë e përtërin angazhimin e vet në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në një vijë me parimet e miratuara nga Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve dhe sipas vlerave morale e fetare të doktrinës katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.