2014-01-30 15:06:53

Evangelii gaudium VI – inkulturimi i fesë dhe kulturat urbane


Jemi në kapitullin e dytë të thirrjes apostolike Evangelii gaudium, ku Papa Françesku paraqet sfidat e ungjillëzimit. Sot flasim për sfidat e inkulturimit të fesë dhe ato të kulturave urbane. Ati i Shenjtë pohon se tek shumë popuj, sidomos në Perëndim, ekziston nënshtresë e fortë e krishterimit, që nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht nëse të krishterët e pagëzuar nuk e jetojnë me përpikëri përkatësinë e tyre kishtare. Shpirti i Shenjtë, që merret në pagëzim, jep frytet e veta, që shprehen me anë të solidaritetit vëllazëror, i cili mund të përjetohet në shumë mënyra. Duhet të pranojmë, shkruan Papa, se bëhet fjalë për “një fe të mirëfilltë katolike, me modalitetet e veta të të shprehurit dhe të përkatësisë ndaj Kishës” (n. 68). Papa e shikon kulturën e popujve me traditë të krishterë si “kulturë të ungjillëzuar”, dhe pohon se, si e tillë, “është më e pasur sesa shuma e thjeshtë e besimtarëve, të vënë në shënjestër nga shekullarizimi i sotëm” (n. 68). RealAudioMP3
Duhet ungjillëzuar kultura, për të inkulturuar Ungjillin. Në vendet katolike, duke u kujdesur për pasuritë e trashëguara në këtë rrafsh, ndërsa në vendet jokatolike dhe ato fort të shekullarizuara, duke futur Ungjillin brenda kulturave të tyre. Megjithatë, nuk duhet harruar se edhe në vendet katolike janë të shumta hapësirat ku Ungjilli duhet të shërojë disa lëngata, si: “maskilizmi, alkoolizmi, dhuna në familje, pjesëmarrja e ulët në meshë, besimi te fati ose besëtytnitë” (n. 69).
Duhet të ruhemi nga krishterimi devocionalist dhe sentimentalist, që na mbyll në individualizëm dhe na mban larg nga çështjet shoqërore. Madje ndodh që ky lloj i përjetimit të fesë, në vend që të ndihmojë ata që kanë nevojë, sjell përfitime ekonomike. Një tjetër vështirësi është ajo e ndryshimit të brezave. Zinxhiri i përçimit të fesë nga brezi në brez ka këputje dhe “është e pamohueshme se (njerëzit) ndjehen të zhgënjyer dhe nuk identifikohen më si katolikë”. Ndër shkaqet, që kanë sjellë në këtë gjendje, Papa rendit mungesën e dialogut në familje, ndikimin e mjeteve të komunikimit, subjektivizmin relativist, konsumizmin dhe mungesën e kujdesit baritor për më të varfrit.
Një sfidë tjetër e ungjillëzimit, është ajo e kulturave urbane. Sjellim të plotë n. 71 të thirrjes apostolike Evangelii Gaudium: “Jeruzalemi i ri, qyteti i shenjtë (khs. Vep 21,2-4), është pikëmbërritja drejt të cilës ecën njerëzimi i ri. Është interesante si zbulimi (hyjnor) na tregon se plotësia e njerëzimit dhe e historisë realizohet në një qytet. Kemi nevojë ta njohim qytetin me një shikim kundrues, domethënë me shikimin e fesë, që zbulon atë Hyj, që banon në shtëpitë e tij, në rrugët e tij, në sheshet e tij. Prania e Hyjit e shoqëron kërkimin e sinqertë të njerëzve dhe grupeve, për të gjetur mbështetje dhe kuptimin e jetës. Ai jeton mes qytetarëve, duke zhvilluar solidaritetin, vëllazërinë, dëshirën për të mirën, të vërtetën, drejtësinë. Kjo prani nuk ka nevojë të prodhohet, por të zbulohet, t’i hiqet velloja. Hyji nuk fshihet nga ata që e kërkojnë me zemër të sinqertë, edhe pse e kërkojnë kuturu, me pasaktësi e hallakatje”.
Qyteti, vendi ku njeriu duhet të realizojë thirrjen për të jetuar në marrëdhënie me të tjerët e për të realizuar lumturinë, është shpesh herë vendi ku “çdo ditë duhet luftuar për të mbijetuar dhe, në këtë luftë, ndryhet kuptimi i thellë i ekzistencës, që zakonisht përmban edhe një ndjesi të thellë fetare” (n. 72). Brenda qytetit bashkëkohor lindin kultura të reja, që shpesh bien në kundërshtim me Ungjillin, por edhe zonat rurale preken nga këto kultura, sepse i marrin me anë të mjeteve të komunikimit. Përballë realiteteve të reja kulturore, “është i nevojshëm një ungjillëzim, që ndriçon mënyrat e reja të marrëdhënieve me Hyjin, me të tjerët dhe me mjedisin, dhe që ngjall vlerat themelore” (74). Një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar pabarazisë, sepse “ka qytetarë, që i kanë mjetet e përshtatshme për të zhvilluar jetën personale e familjare, por ka shumë të tjerë, ‘jo qytetarë’, ‘qytetarë përgjysmë’ ose ‘teprica urbane’” (n. 74), gjendja e të cilëve e dobëson besimin në mirësinë e jetës qytetare. “Kuptimi i unjësishëm dhe i plotë, që jep Ungjilli, është ilaçi më i mirë për lëngatat e qytetit, edhe pse duhet të mbajmë parasysh, se programi dhe stili njëtrajtësh dhe i ngurtë i ungjillëzimit nuk janë të përshtatshëm për këtë realitet” (n. 75).RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.