Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve: sonte, mbrëmësore lutjeje ekumenike
në Romë
Sot, në zemër të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve (18-25janar) përfaqësuesit
e konfesioneve të ndryshme të krishtera, të pranishme në Romë, u takuan, në orën 18.30,
në famullinë e Martirëve të Ugandës, për t’i lypur Zotit dhuratën e bashkimit të të
krishterëve, të frymëzuar nga fjalët e Letrës së Parë të Shën Palit drejtuar korintianëve:
“Vallë, a qenka Krishti i ndarë?”. Liturgjinë e kryesoi imzot Paolo Schiavon, ipeshkëv
ndihmës për zonën romake të jugut, homelinë e mbajti pastori anglikan Boardman. Lëmoshët,
që u mblodhën me këtë rast, do të përdoren për të ndihmuar të burgosurit e Re Bibbia-s.
Kujtojmë se Papa Françesku do ta mbyllë Tetëditshin ekumenik, të shtunën, më 25
janar, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, ku do të kryesojë
kremtimin e lutjeve të dyta mbrëmësore të solemnitetit të Kthimit të Shën Palit. Në
kremtim u vërejt se sot ndjehet një farë humbjeje e shpresave, edhe për shkakun e
ndarjeve ndërmjet të krishterëve. Ndërsa Kishat e bashkësitë kishtare ndodhen para
sfidave të përbashkëta. E këto sfida, që duhen përballuar, të kujtojnë menjëherë përqafimin,
50-vjet më parë, të Palit VI me Patrikun Atenagora. Prej këndej u nis vendimi për
të shfuqizuar shkishërimin e vitit 1054, kur filloi stina e akullt ndërmjet katolikëve
e ortodoksëve, në pritje të një pranvere, sado të vonuar. Pranverë, që tashmë
ndjehet në ajër. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, më 5 janarin e kaluar, Papa Françesku
njoftoi se do të marrë shkopin e shtegtarit, për të shkelur personalisht në Tokën
e Shenjtë, edhe për të përkujtuar përqafimin historik, në të cilin Kishat e krishtera
pranuan para gjithë botës se janë motra. Kjo frymë përshkon gjithë këtë Javë, e edhe
kremtimin e sotëm, në famullinë e Martirëve të Ugandës, ku u lutën së bashku ortodoksë,
përfaqësues të Patriarkanës ekumenike, të krishterë eritreas, etiopas, anglikanë,
luteranë, batistë, metodistë. Lutja u bazua mbi materialin ndihmës, propozuar nga
grupi ekumenik kanadez. Qëllimi përfundimtar i lutjes, u rikujtua gjatë këtij takimi,
është sigurisht bashkimi sakramentor. Por, ndonëse kjo shpresë duket e largët, për
shumë arsye historike e teologjike, lutja na kërkon të lëvizim së bashku, në emër
të Krishtit, si të ishin tashmë të bashkuar!