2014-01-23 13:43:55

Evangelii gaudium – sfidat kulturore të ungjillëzimit


Pasi kemi parë, të enjten e kaluar, sfidat ekonomike, përballë të cilave gjendet shoqëria bashkëkohore dhe që Kisha duhet të mbajë parasysh për shpalljen e Ungjillit, të shohim tani cilat janë sfidat kulturore, që rendit Papa Françesku.
Vështirësia e parë, përballë së cilës gjendet bashkësia e krishterë, është ajo e sulmeve kundër lirisë së fesë dhe e përndjekjes së të krishterëve, që “në disa vende kanë kapur nivele alarmuese të urrejtjes e të dhunës” (n.61). Një tjetër sfidë është ajo e indiferencës, që vjen si rrjedhojë e relativizmit. Edhe relativizmi vetë vjen si rrjedhojë e krizës së ideologjive. Kjo situatë e re i sjell dëme jo vetëm Kishës, por edhe shoqërisë, sepse “një kulturë në të cilën secili dëshiron të jetë mbartës i një të vërtete vetjake subjektive, ua bën të vështirë qytetarëve dëshirën për të marrë pjesë në një projekt të përbashkët, që shkon përtej interesave dhe dëshirave vetjake” (n. 61).
Cektësia, dukja, e përkohshmja, gjërat e shpejta, janë karakteristikat e kulturës bashkëkohore, që, falë ritmeve të shpejta të globalizimit, kërcënon veçoritë specifike të zonave të ndryshme të globit dhe rrafshon ndryshimet kulturore: “Në shumë vende, globalizimi ka shkaktuar një dëmtim të përshpejtuar të rrënjëve kulturore, për shkak të pushtimit nga prirjet, që u përkasin kulturave të tjera, ekonomikisht të zhvilluara, por etikisht të dobësuara” (n. 62).
Në këto kushte të reja ekonomike e kulturore të globit, nuk mungojnë lëvizjet e reja fetare: “Feja katolike e shumë popujve gjendet përballë sfidës së shumimit të lëvizjeve të reja fetare, disa prej të cilave priren kah fundamentalizmi dhe të tjerat duket sikur zbatojnë një përshpirtëri pa Hyjin” (n. 63). Stili materialist, konsumist dhe individualist i tepruar sjell si reagim strehimin tek fetë, prandaj këto lëvizje fetare “mbushin zbrazëtinë që lë pas racionalizmi shekullarist” (n. 63), prandaj duhet pranuar se, “nëse një pjesë e njerëzve tanë të pagëzuar, nuk ndjehet pjesë e Kishës, kjo vjen edhe për shkak të disa strukturave dhe të klimës jo fort mikpritëse në disa nga famullitë dhe bashkësitë tona, ose nga sjellja burokratike me të cilën u përgjigjemi problemeve, të thjeshta apo të ndërlikuara, të jetës së njerëzve tanë” (63).
Procesi i shekullarizimit synon ta mbyllë fenë e Kishës brenda sferës private të jetës. Kjo e dëmton shoqërinë, sepse “me mohimin e çdo transcendence, (shekullarizimi) ka prodhuar deformimin etik gjithnjë në rritje, dobësimin e ndjenjës së mëkatit personal e shoqëror dhe rritjen e relativizmit. Të gjitha këto i bëjnë vend një çorientimi të përgjithshëm, veçanërisht në fazën e adoleshencës dhe të rinisë, që i vuan shumë ndryshimet” (n. 64). Ky proces zhvillohet në epokën e informacionit, që shkakton tejngopjen e njerëzve me lajme të ndryshme, por të vendosura në të njëjtin rrafsh. Mungesa e kritereve edukuese në mjetet e informacionit “na çdo drejt një cektësie të tmerrshme, kur vjen çasti për të shtruar çështjet morale” (n. 64).
Pasi flet për rrezikun e shekullarizimit në shumë vende, Papa kujton edhe rastet në të cilat Kisha Katolike, në vendet ku krishterimi përbën pakicën e popullsisë, është institucion i besueshëm përballë opinionit publik dhe i jep hov zhvillimit të shoqërisë, me anë të angazhimit në fushën e të drejtëve të njeriut dhe të arsimit. Papa dëshiron të theksojë se shqetësimi kryesor i Kishës është dinjiteti i njeriut dhe shkruan se “kur shtrojmë çështjet, që ngjallin më pak miratim publik, e bëjmë për shkak të bindjeve mbi dinjitetin e njeriut dhe të mirën e përbashkët” (n. 65).
Një tjetër sfidë e kohës sonë është ajo e familjes, e cila “po kalon një krizë të thellë kulturore”, “sepse ekziston prirja për ta parë martesën thjesht si një formë të kënaqësisë afektive, që mund të organizohet në çfarëdolloj mënyre e të ndryshohet sipas ndjesive të secilit” (n. 66). Edhe kjo është rrjedhojë e individualizmit postmodern, që i dobëson lidhjet dhe qëndrueshmërinë e tyre, por mbi të gjitha “çnatyron lidhjet familjare” (n. 67). Në këtë kontekst, “veprimtaria baritore duhet të tregojë edhe më shumë se marrëdhënia me Atin tonë kërkon dhe inkurajon një bashkësi, që sjell shërim, mbështet dhe forcon lidhjet ndërpersonale” (n. 67).
Megjithëse mbizotëron mendësia individualiste, ose ndoshta si reagim ndaj saj, tek njerëzit e sotëm vërehet etja për t’u shoqëruar, prandaj lindin grupime të ndryshme, disa prej të cilëve me qëllime të fisme. Ne të krishterët kërkojmë me ngulm “ta pranojmë tjetrin, të shërojmë plagët, të ndërtojmë ura, të thurim marrëdhënie dhe ‘të mbartim peshat e njëri-tjetrit’ (Gal 6,2)” (n. 76).








All the contents on this site are copyrighted ©.