2013-09-24 14:51:13

Pakistan: lutje e protesta të të krishterëve pas masakrës në kishën anglikane të Peshauarit


Lutje nëpër kisha, protesta në rrugë, shkolla e dyqane të mbyllura në shenjë zie. Kështu e shprehën të krishterët pakistanezë, dhimbjen, trishtimin e gjendjen e tyre shpirtërore pas atentatit në kishën anglikane të të Gjithë Shenjtorëve, të dielën në Peshauar. Sipas bilancit të fundit, numri i viktimave është 82 vetë, ndër të cilat 34 gra e 7 fëmijë, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 145. Dje, në qytetet kryesore të Pakistanit, si Islamabad, Lahore, Karaçi dhe Peshauar, kortezhe besimtarësh u kërkuan autoriteteve më shumë mbrojtje, duke u kujtuar se ata janë qytetarë pakistanezë me të drejta të plota.
Në Karaçi, pavarësisht nga kundërshtimi i krerëve fetarë, ndodhën përleshje ndërmjet të krishterëve e myslimanëve jashtë një xhamie e një person humbi jetën. Ipeshkvijtë katolikë u bëjnë thirrje besimtarëve të kenë durim e të ruajnë qetësinë, pa e shndërruar zhgënjimin e tyre në dhunë. Në Islamabad, po dje, mëse 600 manifestues bllokuan rrugën kryesore për orë e orë, ndërsa 2 mijë të tjerë u mbodhën në protestë para parlamentit. Në Peshauar, 200 vetë manifestuan, duke bllokuar arterien kryesore të qytetit, ndërsa një grup prej 100 besimtarësh kërkoi “drejtësi e mbrojtje” para kishës anglikane, në të cilën ndodhi atentati. Provinca, që e ka Peshauarin si kryeqytet, ka shpallur tri ditë zie. Të gjitha veprimtaritë tregtare të të krishterëve janë ndalur e takime lutjeje janë organizuar në disa qytete të provincës, me pjesëmarrjen e dy bashkësive të krishtera, asaj anglikane e asaj katolike.








All the contents on this site are copyrighted ©.