2013-09-10 16:54:28

Presidenti i Shqipërisë, Nishani dekretoi Ramën kryeministër të ri të vendit.


Sot në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani priti në takim Kryeministrin e propozuar nga koalicioni i majtë, Edi Rama.
Gjatë këtij takimi, i cili zgjati rreth 40 minuta, Kreu i Shtetit të Shqipërisë mandatoi Kryeministrin e ri të propozuar nga koalicioni "Aleanca për Shqipërinë Evropiane", për krijimin e Qeverisë së re.
Gjatë takimit Presidenti Nishani i uroi zotit Rama punë të mbarë në detyrën e tij në shërbim e për të mirën e vendit. Të dy bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje e tyre për vijimësinë e bashkëpunimit institucional.
Gjithnjë sot u zhvillua seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë u bë paraqitja e raportit të verifikimit të mandateve të secilit prej deputetëve fitues në zgjedhjet e 23 qershorit, të cilët më pas bënë dhe betimin.
Propozimi për emërimin e zotit Rama, si Kryeministër i Shqipërisë, iu dorëzua një ditë më parë Presidentit Nishani nga kryetari i Partisë Socialiste, ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ai i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, në emër të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Europiane", mbështetur në nenin 96, pika 1, të Kushtetutës së vendit.
Pas emërimit nga ana e Presidentit, Rama dhe kabineti i ri qeverisës, do të votohet në Kuvend të Shqipërisë.
E Kuvendi i Shqipërisë hapi zyrtarisht dje pasdite punimet e Legjislaturës së 8-të. Me mesazhin për bashkëpunimin pozitë-opozitë, deputeti më i vjetër i Kuvendit, Namik Dokle, çeli punimet e sesionit të ri parlamentar.
Në fjalën e tij, Dokle u shpreh se "në nderimin që më ofron mosha dhe përvoja shumëvjeçare në këtë tempull demokratik, kam kënaqësinë të deklaroj të hapur mbledhjen e parë të Legjislaturës së 8-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë".
Duke u uruar mirëseardhjen kolegëve të vjetër dhe të rinj, Dokle i uroi "për zgjedhjen tuaj për të qënë në çdo moment në lartësinë e misionit dhe të përgjegjësisë që vota e popullit na ka ngarkuar të gjithëve".
"Kjo legjislaturë është nga të rrallat e Kuvendit të Shqipërisë, që nis pa bojkot dhe kjo falë forcave politike që përfaqësohen këtu, por para të gjithash e mbi të gjitha, falë popullit shqiptar që si një sfinsk i heshtur, i mënçur dhe i përmbajtur, larg zhurmave dhe tamtameve fushateske, vendosi me votën e tij, të ndryshojë mënyrën dhe ritmin e udhëtimit të Shqipërisë drejtë Europës së bashkuar, vendosi ta bëjë atë më të ndershme, më të mënçur, më të saktë dhe më të shpejtë", tha Dokle.
Ai shtoi më tej se "ai na dha të gjithëve një mesazh të qartë kundër politikave arrogante, prepotente dhe plaçkitëse, na bëri thirrjen e madhërishme që më të bukur se kushdo, e ka shprehur Nënë Tereza :Ku është urrejtja të sjellë dashuri, ku është dëshpërimi, të sjellë shpresë, ku është dyshimi të sjellë besim, ku është ndarja të sjellë bashkim".
Deputeti Dokle uroi që "të gjithë të dalim faqebardhë në detyrën fisnike të deputetit, duke mos harruar se ajo na kërkon përkushtim, pasion dhe ndershmëri. Kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim pozitë dhe opozitë sepse aty ku mungon mirëkuptimi edhe qëllimet e mira bëhen të padobishme".
Veçanërisht, Dokle uroi deputetët e zgjedhur për herë të parë si përfaqësues të popullit të kenë sukses dhe të mbrojnë dinjitetin e ligjbërësit shqiptar dhe të institucionit themelor të Republikës tonë parlamentare.
"Ju që hyni këtu, të lini jashtë tempullit mendjemadhësinë , interesin meskin, mosmirënjohjen ndaj njerëzve të thjeshtë. Merreni me vete çdo gjë të mirë të popullit që u ofroi e mbi të gjitha dashurinë për Shqipërinë tonë", përfundoi Namik Dokle. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.