2013-09-10 16:51:18

Kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë është Ilir Meta


Ilir Meta është zgjedhur Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë. "Kuvendi i ri i Shqipërisë do të çojë përpara axhendën tonë Evropiane", deklaroi sot Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. Në fjalën e tij, Kryeparlamentari tha se në 23 qershor shqiptarët votuan masivisht me një shpresë të madhe, të cilën ne jemi zgjedhur dhe thirrur ta përmbushim, këtu në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Kjo shpresë dhe porosi e shqiptarëve për t'i përfaqësuar e për të zhvilluar vendin, tha Ilir Meta, është shprehje e besimit që ata kanë tek ne, për të kuvenduar me urtësi, qetësi dhe përgjegjshmëri, për të ardhmen e popullit dhe vendit tonë.
Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë theksoi se ky Kuvend, duhet të përfaqësojë atë që është pritshmëria e qytetarëve por dhe praktika më e mirë e punës së parlamenteve evropiane, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien, seriozitetin politik dhe etikën, tolerancën dhe bashkëpunimin, kurajën dhe vizionin, respektin për ligjin dhe parimet demokratike.
Më tej, Meta deklaroi se shqiptarët kërkojnë nga të gjithë ne, reforma të thella të cilat na afrojnë dhe na integrojnë më shumë dhe më shpejt me Europën, reforma që u sjellin atyre punësim, reforma që përmirësojnë jetën e tyre dhe ua bëjnë më të sigurt dhe të begatë të ardhmen e fëmijëve në atdheun e përbashkët.
"Prandaj edhe ftesa ime e parë, që buron nga të dëgjuarit e zërit të qytetarëve që na kanë nderuar dhe sjellë këtu, është lënia pas e frymës konfliktuale. Jemi këtu për të bërë më të mirën për vendin dhe popullin tonë me alternativa konkrete, të matshme dhe të prekshme", tha ai.
Meta nënvizoi se na duhet të japim llogari çdo ditë se çfarë ligjesh të reja do miratojmë dhe si i zbatojmë për ta bërë jetën e të gjithëve më të mirë dhe më të sigurt.
Ilir Meta bindjen se ky Kuvend i ri do të ketë më shumë konstruktivitet e pozitivitet, më shumë alternativa dhe më shumë zgjidhje.
"Këtë përqasje politike e bën imperative edhe shëndeti jo i mirë i ekonomisë, treguesit e varfërisë dhe papunësisë që janë shqetësuese dhe në rritje. Papunësia dhe varfëria janë kundërshtarët tanë të vërtetë, janë sfidat e përbashkëta për tu fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim", deklaroi Kryeparlamentari i ri i Shqipërisë.
Sipas tij, "matësi më i mirë e më i sigurt i çdo politike dhe i kontributit të gjithsecilit është pikërisht përgjigja e pyetjeve "Sa vende të reja pune kemi hapur sot ? Dhe sa shqiptarë e kaluan pragun e varfërisë sot ?". Vetëm kështu do të rivendosim besimin e duhur të qytetarëve te klasa politike në vend".
Ky besim, tha Meta, do t'i japë guximin dhe energjinë e duhur ekonomisë shqiptare që të rimëkëmbet. "Që sipërmarrja të gjejë forcën, mjetet dhe partneritetin e duhur të qeveria dhe te shteti i të drejtës. Kështu vendi do të ketë më shumë stabilitet dhe parashikueshmëri. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të bëhet nje vend me tërheqës për investitorët e huaj, ekonomia jone do te rritet dhe vendet e punës do te shtohen', nënvizoi Kryetari i Kuvendit.
Meta shprehu bindjen që përmirësimi i situatës ekonomike, fillon me themelimin e një partneriteti të fortë dhe transparent, me sipërmarrjen shqiptare dhe të huaj, e cila hap vende të reja pune dhe krijon mirëqenie për qytetarët tanë.
Ai vuri në dukje se "ne duhet të reformojmë modelin tonë ekonomik, duke u bazuar tek shfrytëzimi me efikas dhe transparent i resurseve tona natyrore, tek rritja e prodhimit vendas, por mbi të gjitha tek menaxhimi më i mirë i burimeve tona njerëzore".Reforma të rëndësishme na presin, deklaroi Meta për funksionimin me efikas të institucioneve, për të rritur pavarësinë e tyre, por edhe koordinimin mes njëri-tjetrit, sepse zhvillimi dhe përparimi drejt Evropës nuk është vepër vetëm e një mazhorance, por një sipërmarrje kolektive kombëtare, e bazuar në gjithpërfshirjen e çdo qytetari, çdo politikani dhe institucioni, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm.
Ai tha se do të përkujdesemi më shumë për çdo qytetar të këtij vendi, kudo ku jeton, nga Vermoshi në Konispol, sepse është e drejta e tyre të jetojnë në mirëqenie, është detyra jonë ta garantojmë atë. "Përkujdesja jonë do të rritet edhe për ata qytetarë që jetojnë jashtë kufijve, në trojet shqiptare apo në emigracion. Ata janë pjesë e botës sonë shqiptare, dhe përkujdesja ndaj tyre është detyrim madhor dhe kushtetues për të gjithë ne", deklaroi Meta.
Kryeparlamentari i Shqipërisë tha se për të realizuar këto reforma, së pari duhet të reformojmë veten tonë. Duhet t'i përgjigjemi zhvillimeve të shpejta e t'i udhëheqim ato. Do të rrisim efikasitetin tonë në drejtim të përafrimit të legjislacionit me atë BE, të thjeshtëzimit e përmirësimit të legjislacionit të vendit dhe në veçanti do forcojmë zbatueshmërinë e ligjeve. Sipas tij, transparenca dhe gjithëpërfshirja do të jenë vendimtare për suksesin e këtij Kuvendi.
"Gjithkush, pavarësisht bindjeve apo pozicioneve partiake, që dëshiron të kontribuojë për të bërë ligje të mira dhe të dobishme për vendin, për të konceptuar politika realiste dhe të frytshme, do të jetë i mirëpritur dhe i respektuar.Për këtë qëllim ne do të bashkëpunojmë ngushtë edhe me shoqërinë civile, botën akademike dhe universitare, si dhe me grupet e interesit', deklaroi Meta.
Sipas tij, ekziston dëshira dhe vullneti i përbashkët i maxhorancës dhe opozitës së ketij Kuvendi që ne të vendosim një standard të ri të sjelljes politike në komunikimin politik ku debatohet për idetë, politikat dhe ligjet, dhe jo për personin.
Meta ftoi që "të bashkojmë përpjekjet tona maksimalisht për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, përmes integrimit të punës sonë të përbashkët Pozitë dhe Opozitë, sepse besoj se në thelb kemi një qëllim të përbashkët, mirëqënien, zhvillimin, sigurinë, dhe rritjen e dinjitetit të qytetarëve tanë dhe të Shqipërisë".
"Ne jemi besimplote se si deri më sot, SHBA-të dhe BE, do të vazhdojnë të jenë përkrah nesh duke na mbështetur fuqimisht në arritjen e objektivin tonë madhor, atë të anëtarësimit në BE.Ky Kuvend do të kontribuojë për një Shqipëri të fortë e të qëndrueshme, e cila fuqizon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, në një kohë kur faktori shqiptar, kudo që ai ndodhet dhe jeton, kontribuon për paqen dhe perspektivën europian", deklaroi Meta.
Ai tha se shembulli më i qartë është roli i shtetit më të ri, atij të Kosovës që forcon çdo ditë njohjen ndërkombëtare dhe me guxim ecën drejt dialogut dhe bashkëpunimit rajonal si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Si Kryetar i Kuvendit, Meta tha se do të siguroj zbatimin rigoroz të Rregullores së Kuvendit, të drejtat e çdo deputeti në përgjithësi, dhe respektimin e angazhimit konstruktiv të opozitës, frymën e tolerancës dhe konsensusit.
"Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por jam i sigurtë se progresi dhe zhvillimi i vendit do të jetë më i shpejtë dhe më i begatë nëse përpjekjet e bashkëpunimit dhe interesit kombëtar prevalojnë mbi interesat partiake. Jam i bindur se do të jemi të suksesshëm vetëm duke mos harruar për asnjë moment se ky nuk është Kuvendi ynë i 140 deputetëve, por është Kuvendi i popullit shqiptar, i mbarë qytetarëve tanë, të cilët votuan plot dinjitet dhe si qytetarë europian 23 qershor. Le të reflektojmë edhe ne në këtë Kuvend, me të njëjtin dinjitet dhe përgjegjshmëri që ta meritojmë plotësisht besimin e tyre", përfundoi fjalën Kryetari i parlamentit, Ilir Meta
I lindur me 24 Mars 1969 në rrethin e Skraparit, Ilir Meta është diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranes.Ai ka përfunduar studimet pasuniversitare në po të njëjtën fushë. Aktualisht, Ilir Meta, është deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, President i Bordit të Institutit për Paqe, Zhvillim dhe Integrim, si dhe është anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin.
Z. Meta ka një aktivitet shumë intensiv politik, duke filluar që nga viti 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore e cila bëri të mundur përmbysjen e regjimit komunist. Nga viti 1992 e në vazhdim, Ilir Meta, është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve parlamentare ndërkohë që gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.
Ilir Meta është një ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH) në Partinë Socialiste, duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjate viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).
Aktiviteti politik i Ilir Metës në strukturat e Partisë Socialiste është i ngjeshur. Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit të vitit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga Kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e qeverisë dhe partisë prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë, Fatos Nano. Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qenë Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës. Në periudhën 1993-1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e Nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994-1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosen marrëdhëniet me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Europës, si dhe Partine Socialiste Europiane dhe Internacionalen Socialiste.
Ilir Meta, pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, për ndryshimin e funksionimit dhe demokracisë së brendshme në këtë force politike, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë të të gjitha fushave, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Ilir Meta u zgjodh në krye të LSI në prill të vitit 2005, i zgjedhur sipas parimit "Një anëtar, një vote", duke u bërë lideri i parë në politikën shqiptare i zgjedhur nën këtë parim demokratik. Z. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI, në zgjedhjet e fundit brenda kësaj force politike më 20 tetor 2012 ku mbi 31 mijë anëtarë të LSI-së votuan për kryetarin e tyre, sipas parimit "Një anëtar, një votë".
Për sa i përket posteve të rëndësishme ekzekutive aktiviteti politik i Ilir Metës përfshin edhe një periudhë të suksesshme të drejtimit në qeveri. Ai ka shërbyer si Kryeministër i vendit gjatë periudhës nëntor 1999-shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, post të cilin e mbajti gjatë periudhës shator 2001-shkurt 2002.
Gjatë kësaj periudhe u shënuan arritjet më të mëdha të qeverisjes së vendit për periudhën e tranzicionit duke përfshirë këtu stabilizimin e parametrave makro-ekonomik, përmirësimin e ndjeshëm të rrjetit rrugor në vend, privatizimin e suksesshëm të disa prej sektorëve strategjikë të ekonomisë, vendosjen dhe funksionimin e ligjit në të gjithë territorin e vendit, etj.
Në Shkurt të vitit 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorances politike dhe qeverisëse të asaj kohe z. Meta dha dorëheqjen nga detyra e Kryeministrit. Gjithashtu, Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv. Kryeministër dhe ministër i Koordinimit Qeveritar gjate periudhës tetor 1998-tetor 1999, Sekretar Shteti për Integrimin Europian në Ministrinë e Punëve të Jashtme mars-tetor 1998, Zv. Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhave korrik 2002-korrik 2003 dhe shtator 2009-shtator 2010, dhe së fundmi si Zv. Kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë periudhës shtator 2010-janar 2011. Në janar të vitit 2011 Ilir Meta dha dorëheqjen nga postet qeveritare, duke vazhduar të jetë anëtar i Parlamentit të Shqipërisë, në legjislaturën aktuale, si dhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i rizgjedhur në zgjedhjet e mbajtura në 20 tetor 2012, sipas parimit "Një anëtar, një votë".
Ilir Meta është zgjedhur anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, komision i cili drejtohet nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, në përbërje të të cilit janë mjaft personalitete të njohura nga Bashkimi Europian, rajoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç aktivitetit politik, Ilir Meta ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe në disa akademi dhe universitete në Europë dhe SHBA, akademi të tilla si Akademia Europiane e Berlinit apo Universiteti i Harvardit.
Ilir Meta është i martuar me Monika Kryemadhin dhe kane tre fëmijë, Borën, Besarin dhe Erën. Flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe atë italiane.
(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.