2013-07-10 15:24:32

Papa Françesku u uroi myslimanëve për Ramazan, fryte të begata paqeje


Ndërmjet mendimeve të tjera të paharrueshme, që shprehu Papa Françesku gjatë vizitës në Lampeduzë, është edhe urimi për fillimin e Ramazanit, drejtuar emigrantëve myslimanë, që i takoi gjatë shtegtimit. Urimi, që agjërimi t’u sjellë fryte të begata shpirtërore pasuar nga pohimi plol shpresa: “Kisha është pranë jush, që kërkoni një jetë më dinjitoze, për vete e për familjet”.
Mbi jehonën e këtij urimi në botën myslimane, flet, në mikrofonin tonë, atë Samir Khalil, pedagog i historisë së kulturës arabe dhe islamologjisë, pranë Universitetit të Shën Jozefit, në Beirut:
Përgjigje: - Ndërmjet emigrantëve, ka mundësi të ishin shumë myslimanë, por nuk ishte kjo arsyeja, që e shtyu Papën t’u drejtonte urimin myslimanëve. Ishte vetë festa e Ramazanit, muajit shpirtërisht më të rëndësishëm, e edhe fillimi i tij. Prej këndej, Papës, që është tejet i ndjeshëm ndaj dinjitetit të njeriut, iu duk e nevojshme t’u drejtojë urimin e tij besimtarëve të fesë Islame. Nuk mbajti ndonjë fjalim politik a shoqëror, e megjithatë në mbarë botën myslimane në këtë çast, ndjehet fort jehona e urimit të Papës.

Pyetje: - Atë Samir, kur kujtojmë urimin e Papës, nuk mund të mos kujtojmë edhe Egjiptin, që ka aq shumë nevojë për paqe e pajtim,…

Përgjigje: - Po, pikërisht. Problemi është se pati një hap të parë në këto revolucione, por ky hap ndërroi ritmin pak muaj më vonë, sepse të rinjtë, që bënë revolucionet, nuk ishin të organizuar: të vetmit, që ishin të organizuar e që nuk i përkisnin regjimit të vjetër, ishin vëllezërit myslimanë. Prej këndej, e morën në dorë pushtetin në Tunizi, në Egjipt, në Libi e gjetiu. Këtë po e shikojmë edhe në Siri: është një përballje e këtij tipi ndërmjet myslimanëve sunitë, disa prej të cilëve shpesh janë ekstremistë - e muslimanëve shiitë. Problemi fetar i Islamit është në qendër të të gjitha ngjarjeve. Bota myslimane është në valim, kërkon rrugën ndërmjet ekstremizmit fetar, nga njëra anë, e shekullarizimit të plotë perëndimor, nga ana tjetër. E kjo vijon që prej dy vitesh e gjysëm: nisi me të ashtuquajturën ‘pranverë arabe’, në dhjetor 2010. Ky është çasti kryesor e Papa foli fjalët e duhura, sepse theksoi përtëritjen shpirtërore e bëri urimin për fryte të begata, fryte paqeje, qetësie, bashkëpunimi me të gjithë, fryte të mospërdorimit të dhunës. Larg dhunës, është urimi i Papës për një botë, ku dhuna është gjithnjë e pranishme. Mendoj se Papës i mjaftuan vetëm tri fjalë, për të thurur me to shprehjen e duhur.

Pyetje: - Atë Samir, më duket se këto fjalë u shtohen edhe të tjerave, shqiptuar nga Papa lidhur me dialogun ndërfetar…

Përgjigje: - Më duket e natyrshme; edhe fjalimet e tjera e komentet e Ungjillit, që bën çdo ditë, kanë si bazë pikërisht përshpirtërinë. E kështu edhe fjalimet ekumenike, ndërfetare e ndërnjerëzore. Është baza e të gjithave, për Papën Françesku, edhe pse në ushtrimet shpirtërore të Shën Injacit, që e kanë ushqyer gjithë jetën, baza e të gjithave është konceptimi i njeriut, duke u nisur nga shpirti e nga përshpirtëria.







All the contents on this site are copyrighted ©.