HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Audiencat dhe Lutjet e Engjëllit të Tenzot >  2013-06-09 16:22:37
A+ A- Printo artikullin



Papa në Engjëllin e Tënzot: Zemra e Krishtit është simbol real; e na fal gjithmonë



Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar; dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit. Kështu u shpreh sot paradite Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, tejet të mbushur me besimtarë e shtegtarë nga mbarë bota.

Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, vërejti Papa, duke kujtuar se festa e Zemrës së Krishtit, kremtuar në Kishë të premten e kaluar, i jep tonin të gjitha ditëve të muajit qershor. Përshpirtëria popullore, shtoi Ati i Shenjtë, i vlerëson shumë simbolet; e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit::
“Por nuk është ndonjë simbol i trilluar, është i vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin”.
Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja e jeta, për të gjithë njerëzit:
Por mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë; është edhe forcë; forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun”.
E dokumenton këtë Shën Luka Ungjilltar, në episodin e vejushës së Nain, fshat i Galilesë, ku Jezusi me dishepujt e tij arrin pikërisht në çastin kur kremtohet një funeral. Ka vdekur biri i vetëm i një vejushe. Nëna e përcjell në varr shpresëhumbur, e mbytur në lot. E pikërisht mbi sytë e saj të përlotur ngulen sytë e Zotit. Duke e parë, Krishti ka mëshirë për të:
“Kjo mëshirë është dashuria e Zotit për njeriun, është sjellja e Zotit, në takim me mjerimin njerëzor, me skamin tonë, vuajtjen tonë, ankthin e zemrës sonë”.
Vetë termi biblik ‘mëshirë’, shpjegoi Papa, të kujton dashurinë e thellë amtare, dashuri e pashoqe, që vetëm zemra e nënës e ndjen për krijesat e mishit e të gjakut të vet. Kështu na do Zoti, thotë Shkrimi Shenjt:
“E cili është fryti i kësaj dashurie? Është jeta!”.
Mëshira e Zotit i jep njeriut jetë:
“Zoti na shikon gjithnjë me mëshirë, na pret me mëshirë. Nuk duhet të kemi frikë t’i afrohemi Atij! Ka një zemër plot me mëshirë. Nëse ia zbulojmë plagët e shpirtit tonë, mëkatet tona, Ai na fal, gjithnjë. Është mëshirë e pastër”.
Së fundi, lutja e Papës Françesku drejtuar Zojës së Bekuar:
Zemra e Saj e papërlyer, zemër nëne, e jetoi në kulm, së bashku me Jezusin, mëshirën e Zotit, posaçërisht në orën e mundimeve e të vdekjes së Krishtit. Na ndihmoftë e Lumja Zojë të jemi zemërbutë e të përvujtë me vëllezërit tanë”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi dy rregulltaret polake, Nënë Sofinë e Nënë Margertita-Luçinë, themeluese Kongregatash, që u shpallën sot të Lume, në Poloni:
“Së bashku me Kishën në Krakov, ta falënderojmë Zotin”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, gjatë përshëndetjes së grupeve të ndryshme të pranishme, Papa i porositi të gjithë besimtarët:
“Të mos e harrojmë dashurinë e Zotit, dashurinë e Jezusit: ai na shikon, na do, na pret. Është i tëri zemër, i tëri mëshirë! Të shkojmë me besim tek Jezusi. Krishti na fal gjithmonë!”.
E, në përfundim, përshëndetja drejtuar besimtarëve në Shesh e të lidhur me Sheshin, në mbarë botën:
“... faleminderit! Ju uroj të gjithëve të diel të gëzuar!”.




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama