HomeRadio Vatikani
Radio Vatikani   
Në gjuhë të tjera  

     Home > Kisha >  2011-04-05 12:04:36
A+ A- Printo artikullin



“Fjala e Paqes”, lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult nr. 2 (97) Viti XIII Shkurt - Mars 2011



Fjala e Paqes

...U dëgjua një zë nga reja që tha:
“ky është Biri im
i dashur,
të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!
Mt. 17. 5


Lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult
Nr. 2 (97) Viti XIII Shkurt - Mars 2011

PAPA BENEDIKTI XVI MBRON JETËN

Akademia Papnore për Jetën mbajti një Simpozium në Romë mbi temat “sindrome post –abortiva” dhe “përdorimi i bankave të kordonit kërthizor”: pra , aborti, një dramë e dhimbshme që gjithmonë është e pranishme në jetën e shumë personave, mbi të gjitha tek gratë, që edhe pse shpesh hiqet, është një problematikë jo e largët e vendosur nga progresi i kërkimit. Duke komentuar të dyja temat, Benedikti XVI ka shkuar në zemrën e çështjeve, duke ripohuar praninë dhe rolin e ndërgjegjes. Poshtë vijon fjalimi i Papës Benedikti XVI, që mbajti më 26 shkurt, në Sallën Klementina:

Zotërinj Kardinalë,
Të nderuar Vëllezër në Episkopat dhe në Meshtari,
të dashur Vëllezër e Motra,
ju pres me gëzim në rastin e Asamblesë vjetore të Akademisë Papnore për Jetën. Përshëndes në mënyrë të veçantë Presidentin e saj, Imzot Ignacio Carrasco de Paula dhe e falënderoj atë për fjalët e sjellshme. Secilit i drejtoj mirëseardhjen time të përzemërt! Në punimet e këtyre ditëve keni përballuar tema me aktualitet të madh, që i bëjnë thellësisht thirrje shoqërisë bashkëkohore dhe e sfidojnë atë për të gjetur përgjigjet gjithnjë e më të përshtatshme për të mirën e personit njerëzor. Tematika e sindromës pas-abortive – do të thotë problemi i madh psikologjik i përjetuar shpesh prej grave që kanë bërë abort të vullnetshëm – zbulon zërin e pashmangshëm të ndërgjegjes morale dhe plagën shumë të rëndë që ajo pëson sa herë që veprimi njerëzor e tradhton thirrjen natyrore në të mirën e qenies njerëzore, që ajo e dëshmon. Në këtë reflektim do të ishte e dobishme t'i kushtonim vëmendje edhe ndërgjegjes, nganjëherë të errësuar, të etërve të fëmijëve, që shpesh i lënë vetëm gratë shtatëzëna. Ndërgjegjja morale – mëson Katekizmi i Kishës Katolike – është ai “gjykim i arsyes, nëpërmjet të cilit personi njerëzor njeh cilësinë morale të një akti konkret që është duke parashtruar, është duke kryer ose ka kryer” (nr. 1778). Në të vërtetë, është detyrë e ndërgjegjes morale ta dallojë të mirën prej të keqes në situatat e ndryshme të ekzistencës, në mënyrë që, në bazë të këtij gjykimi, qenia njerëzore të mundet lirisht të orientohet nga e mira. Atyre që do të donin ta mohonin ekzistencën e ndërgjegjes morale në njeriun, duke e kufizuar zërin e saj vetëm në rezultatin e kushtëzimeve të jashtme apo në një dukuri thjesht emotive, është e rëndësishme t'u përsërisim se cilësia morale e veprimit njerëzor nuk është një vlerë e jashtme ose opcionale dhe nuk është as një prerogativë e të krishterëve apo e besimtarëve, por është e përbashkët për të gjitha qeniet njerëzore. Në ndërgjegjen morale Hyji i flet secilit dhe e fton ta mbrojë jetën njerëzore në çdo moment. Në këtë lidhje personale me Krijuesin gjendet dinjiteti i thellë i ndërgjegjes morale dhe arsyeja e pacenueshmërisë së saj.
Në ndërgjegje i tërë njeriu – inteligjenca, emotiviteti, vullneti – realizon thirrjen e vet në të mirën, kështu që zgjedhja e të mirës apo e të keqes në situatat konkrete të ekzistencës arrin ta shënojë thellësisht personin njerëzor në çdo shprehje të qenies së vet. Në të vërtetë, i gjithë njeriu mbetet i plagosur kur veprimi i tij kryhet kundër asaj që i dikton ndërgjegjja. Megjithatë, edhe kur njeriu nuk e pranon të vërtetën dhe të mirën që Krijuesi i propozon, Hyji nuk e braktis, por, pikërisht nëpërmjet zërit të ndërgjegjes, vazhdon ta kërkojë dhe t'i flasë, në mënyrë që ta pranojë gabimin dhe t'i hapet Mëshirës hyjnore, e cila është e aftë të shërojë çfarëdo plage.
Mjekët, në mënyrë të veçantë, nuk mund të mos përmbushin detyrën e madhe të mbrojtjes prej mashtrimit të ndërgjegjeve të shumë grave që mendojnë se në abortin gjejnë zgjidhjen e vështirësive familjare, ekonomike, shoqërore, apo të problemeve të shëndetit të fëmijës së tyre. Veçanërisht në këtë situatën e fundit, gruaja shpesh bindet, nganjëherë nga vetë mjekët, se aborti përfaqëson jo vetëm një zgjedhje moralisht të lejueshme, por madje edhe një akt të detyrueshëm “terapeutik” për të shmangur vuajtjet e fëmijës dhe të familjes dhe një peshë “të padrejtë” për shoqërinë. Në një sfond kulturor të karakterizuar prej eklipsit të kuptimit të jetës, në të cilin është zbehur shumë perceptimi i përgjithshëm i rëndesës morale të abortit dhe të formave të tjera të atentatit kundër jetës njerëzore, mjekëve u kërkohet një forcë e veçantë për të vazhduar të pohojnë se aborti nuk zgjidh asgjë, por vret fëmijën, shkatërron gruan dhe verbon ndërgjegjen e babait të fëmijës, duke shkatërruar, shpesh, jetën familjare.
Megjithatë, kjo detyrë nuk i përket vetëm profesionit të mjekëve dhe vepruesve shëndetësorë. Është e nevojshme që e gjithë shoqëria të vihet në mbrojtje të të drejtës për jetë të të ngjizurit dhe të të mirës së vërtetë të gruas, që kurrë, në asnjë rrethanë, nuk do të mund të gjejë realizim në zgjedhjen e abortit. Po ashtu do të jetë e nevojshme – siç tregohet prej punimeve tuaja – të mos mungojnë ndihmat e nevojshme ndaj grave që, pasi mjerisht kanë bërë abort, tani janë duke përjetuar gjithë dramën morale dhe ekzistenciale të tij. Të shumta janë nismat, në nivel dioqezan apo nga ana e enteve të veçanta të vullnetariatit, që japin mbështetje psikologjike e shpirtërore, për një rekuperim njerëzor të plotë. Solidariteti i bashkësisë së krishterë nuk mund të heqë dorë prej këtij lloji të bashkëpërgjegjësisë. Do të doja të kujtoja, në lidhje me këtë, ftesën e të Nderuarit Gjon Pali II drejtuar grave që kanë bërë abort: “Kisha e di se sa kushtëzime mund të kenë ndikuar në vendimin tuaj, dhe nuk dyshon se në shumë raste është bërë fjalë për një vendim të vuajtur, ndoshta dramatik. Ndoshta plaga në shpirtin tuaj nuk është mbyllur ende. Në të vërtetë, ajo që ka ndodhur ka qenë dhe mbetet thellësisht e padrejtë. Por, mos lejoni që të shkurajoheni dhe mos e braktisni shpresën.
Le të dini ta kuptoni atë që ka ndodhur dhe interpretojeni në të vërtetën e saj. Nëse ende nuk e keni bërë këtë, hapjuni me përvujtëri e besim pendimit: Ati i çdo mëshire ju pret për t'ju dhënë faljen e vet dhe paqen e vet në sakramentin e Pajtimit. Të njëjtit Atë dhe mëshirës së tij mund t'ia besoni me shpresë fëmijën tuaj. Të ndihmuara prej këshillës dhe prej afërsisë së personave miq e kompetentë, do të mund të jeni me dëshminë tuaj të vuajtur mes mbrojtësve më shprehës të të drejtës së të gjithëve për jetë” (Enc. Evangelii vitae, 99).
Ndërgjegjja morale e kërkuesve dhe e të gjithë shoqërisë civile është thellësisht e përfshirë edhe në temën e dytë të punimeve tuaja: përdorimi i bankave të kordonit kërthizor, me qëllim klinik dhe kërkimi. Kërkimi mjeko-shkencor është një vlerë, pra një angazhim, jo vetëm për kërkuesit, por për gjithë bashkësinë civile. Prej kësaj del detyra e nxitjes së kërkimeve etikisht të vlefshme nga ana e institucioneve dhe vlera e solidaritetit të individëve në pjesëmarrjen në kërkimet që synojnë të nxisin të mirën e përbashkët. Kjo vlerë dhe nevoja e këtij solidariteti, vihen në dukje shumë mirë në rastin e përdorimit të qelizave staminale që vijnë prej kordonit kërthizor.
Bëhet fjalë për aplikime klinike të rëndësishme dhe për kërkime premtuese në planin shkencor, por që në realizimin e tyre varen shumë prej bujarisë në dhurimin e gjakut kordonal në momentin e lindjes dhe prej përshtatjes së strukturave, për ta bërë të zbatueshëm vullnetin për dhurim nga ana e atyre që lindin. Prandaj, ju ftoj të gjithëve ju që të bëheni nxitës të një solidariteti të vërtetë dhe të vetëdijshëm njerëzor e të krishterë.
Në lidhje me këtë, shumë mjekë kërkues me të drejtë e shikojnë me dyshim lulëzimin e bankave private për ruajtjen e gjakut kordonal vetëm për përdorim autolog. Kjo zgjedhje – sikurse tregojnë punimet e Asamblesë suaj- përveçse është pa një superioritet real shkencor në lidhje me dhurimin kordonal, e dobëson shpirtin e pastër të solidaritetit që duhet ta frymëzojë vazhdimisht kërkimin e asaj të mire të përbashkët nga e cila, në fund të fundit, priren shkenca dhe kërkimet mjekësore.
Të dashur Vëllezër e Motra, e përsëris mirënjohjen time ndaj Presidentit dhe të gjithë Anëtarëve të Akademisë Papnore për Jetën, për vlerën shkencore dhe etike me të cilën e realizoni angazhimin tuaj për të mirën e personit njerëzor.
Urimi im është që ta ruani gjithnjë të gjallë shpirtin e shërbimit të përnjëmendtë që i bën mendjet dhe zemrat të ndjeshme për t'i njohur nevojat e njerëzve bashkëkohës tanë. Secilit prej jush dhe të dashurve tuaj ju jap me gjithë zemër Bekimin Apostolik.

Nga L’Osservatore Romano

MESAZHI I PAPËS BENEDIKTI XVI PËR KRESHMËT

Të lirë nga egoizmi në logjikën e dhurimit dhe të dashurisë
Një thirrje që “të lëmë pas egoizmin për të jetuar në logjikën e dhurimit dhe të dashurisë” vjen prej mesazhit të Papës për Kreshmën e 2011, e paraqitur të martën më 22 shkurt, në Sallën e Stampës së Selisë së Shenjtë. Duke ripropozuar kuptimin e Pagëzimit, si ecje kthimi dhe ripërtëritjeje, Benedikti XVI, u bën thirrje të krishterëve që të ruhen sidomos nga” tundimi për të pasur, nga lakmia e parasë, që e rrezikon primatin e Hyjit në jetën tonë”. Dhe kujton se “ dëshira e të pasurit, nxit dhunë, vdekje”, sepse - shpjegon - “e zhvesh njeriun, e bën të palumtur, e gënjen, e mashtron pa realizuar atë që i premton”.
Nga këtu, thirrja e Papës për të rizbuluar praktikat tradicionale të agjërimit, të lëmoshës dhe të lutjes si ”shprehje e angazhimit të kthimit” dhe mënyrë për “jetuar gjithnjë e më rrënjësisht dashurinë e Krishtit”. Agjërimi, sipas Papës, mëson “për të hequr shikimin tonë nga “uni” ynë për të zbuluar Dikë përkrah nesh dhe për të njohur Hyjin në vëllezërit tanë”, ndërsa lëmosha është thelbësisht “aftësi e bashkëndarjes” dhe “kujdes drejt tjetrit”. Të dyja ushqehen me lutjen, që lejon t'i hapet kohës “perspektiva e përjetësisë dhe e trashendentes”. Besimi në ringjalljen dhe në shpresën e jetës së përjetshme – shkruan Benedikti XVI – “e hapin shikimin tonë për kuptimin e fundit të ekzistencës sonë”. Kjo e vërtetë – shton - “dhuron dimensionin autentik dhe përfundimtar historisë së njerëzve, ekzistencës së tyre personale dhe të jetuarit shoqëror, kulturës, politikës dhe ekonomisë”. Anasjelltas, pa dritën e fesë “krejt universi përfundon i mbyllur brenda një varri pa të ardhme dhe pa shpresë”.
Për Papën, të jetosh Kreshmën, do të thotë “Të lejojmë që të transformohemi prej Shpirtit Shenjt, si Shën Pali në rrugën e Damaskut: të orientojmë me vendosmëri ekzistencën tonë sipas vullnetit të Hyjit: të lirohemi nga egoizmi ynë, duke tejkaluar instinktin e dominimit mbi të tjerët dhe duke iu hapur dashurisë së Krishtit”.
Nga L' Osservatore Romano

“KONGREGATAT KATOLIKE KUNDËR TRAFIKIMIT TË QENIEVE NJERËZORE”

Me datë 11 shkurt 2011, ora 10.00, në Fshatin e Paqes u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë “Kongregatata Katolike Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”. Ky takim u organizua nga Caritas Dioqezan Shkodër-Pult, Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult - Komisioni Dioqezan për Familjen, dhe Komisioni Dioqezan Drejtësi dhe Paqe. Takimi kishte si qëllim të nxirrte në pah atë çfarë kongregatat, por edhe realitetet e tjera katolike bëjnë në parandalimin e këtij fenomeni, por edhe për zgjedhjen e strategjive të ndërhyrjeve për të ardhmen. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Bashkia dhe Prefektura në Shkodër, nga Komuniteti Papa Giovanni XXIII, Famulli e Kongregata të Dioqezës Shkodër-Pult, Caritas Dioqezan dhe Caritas Kombëtar etj. Moderator i këtij takimi ishte Dom Rafaelle Gagliardi, përgjegjës i Komisionit Dioqezan për familjen.
Takimi u hap nga Imzot Massafra, i cili theksoi se duhet të shtohet kujdesi ndaj fëmijëve, veçanërisht ndaj vajzave, para se gjithash t'i jepet prioritet shkollimit dhe edukimit të fëmijëve, të kenë kujdes fejesat në moshë të mitur ose jashtë shtetit, pasi kur martohen, vajzat gjejnë surpriza të pakëndshme, nuk gjejnë atë çfarë kanë ëndërruar. Në fakt Kisha Katolike në Shkodër, misionet dhe shumë famulli, kanë hapur qendra për fëmijë e të rinj si dhe konvikte për studentë/e që shkollohen në ambientet universitare, por që vijnë nga zonat e ndryshme malore, larg familjeve e që gjenden para shume sfidave e rreziqeve të ndryshme. U drejtoi një falënderim Caritasit dhe të gjithë atyre që veprojnë në këtë sektor, për organizimin e kësaj dite.
Znj. Julia Cepi, Drejtore e Shërbimeve Sociale Bashkia Shkodër falënderoi organizatorët e këtij takimi, por edhe të gjitha realitetet kishtare për kontributin që japin në edukimin, formimin dhe zbutjen e problematikave sociale. Gjithashtu theksoi se Bashkia ka qendra komunitare për fëmijë, të rinj e të moshuar. M. Josefina Rojo dhe Znj. Ariela Mitri, Koordinatore e projekteve për Caritas Kombëtar, falënderuan Imzot Massafrën, Caritasin Dioqezan Shkodër-Pult, për krejt veprimtarinë e kryer kundër këtij fenomeni, duke theksuar se është punuar shumë dhe me cilësi, jo vetëm në projekte, por edhe në fushatat e organizuara si, koncerte dhe drama, të cilat kanë qenë një mjet i fuqishëm sensibilizues. U shprehën të gatshme për të vazhduar me tej projektet edhe me takime të tjera informuese, pasi kështu mund të kemi një rrjet të përbashkët veprimi.
Znj. Jolanda Marena foli mbi projektin “Fuqizimi i gruas shqiptare në përballimin e trafikimit të qenieve njerëzore” i cili është zbatuar nga Caritasi Dioqezan Shkodër-Pult me mbështetjen financiare të Caritas Kombëtar. Projekti ka pasur si qëllim sensibilizimin mbi shkaqet e trafikimit dhe mënyrat parandaluese të tij. Në këtë projekt janë përfshirë disa nga famullitë e kongregatat e dioqezës, të cilat i falënderojmë për mënyrën e bashkëpunimit, pasi është e vërtetë që Caritas i ka ndihmuar financiarisht dhe nga ana profesionale si, asistencë në shkrimin dhe raportimin e projekteve, por janë famullitë dhe kongregatat të cilat kanë vënë në dispozicion qendrat, burimet njerëzore e logjistike, pa të cilat Caritasi nuk mund të punojë e as të realizojë asnjë projekt apo veprimtari. Gjithashtu diskutuan përfaqësues të realiteteve të tjera katolike, të cilat operojnë në dioqezë dhe kanë si qëllim promovimin e të drejtave të njeriut, të mbrojtjes së viktimave të trafikimit, të edukimit, të kujdesit për familjen: Dom Raffaele Gagliardi, Znj. Cristina Petrella, Z. Luigj Mila, Dom Ginno Martucci, Motër Carla, Motër Chiara Bikaj, Motër Isolina, M. Bardha Qershia, Dom Dorian Mjeshtri, Silvana Vignali, Nikolin Alija etj, të cilët quajtën problematike trafikimin dhe shfrytëzimin e vajzave për prostitucion brenda vendit, dhunën në familje, fejesat e vajzave jashtë shtetit, shfrytëzimin e fëmijëve për punë si dhe dëshirën e të rinjve për të emigruar. Në fund të takimit të pranishmit nxorën si konkluzion të përbashkët përqendrimin e punës me familjet, me takime sensibilizimi, ku të përfshihet e gjithë familja, me qëllim parandalimin e fenomenit të trafikimit dhe të shfrytëzimit të qenieve njerëzore.

Jolanda Marena

KUMTESA MBI DINJITETIN E GRUAS

Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult organizon në Shkodër 4 kumtesat gjatë ecjes së përvjetshme kreshmore me temë: Dinjiteti i gruas (Mulieris dignitatem), në sallën Kardinal Mikel Koliqi:
1. DINJITETI I GRUAS në vizionin e Biblës dhe plotësia e saj te Maria (nn. 3-11). Kumtues: Atë Gazmend Tinaj OFM (e mërkure, më 16 mars 2011, ora 16.30)
2. Gruaja në kohën e Jezusit: reflektime duke u nisur nga Ungjilli (nn. 12-16). Kumtues: Dom Marian Gega (e mërkure, më 23 mars 2011, ora 16.30)
3. Amësia apo Virgjëria: Dy përmasa të thirrjes së gruas. Kumtues: Motër Teuta Buka (e mërkure, më 30 mars 2011, ora 17.30)
4. Dinjiteti dhe misioni i gruas në Kishë dhe në shoqëri (nn. 1.26-31). Kumtues: Prof. Loreta Prela (e mërkure, më 6 prill 2011, ora 17.30).

20-VJETORI I RIHAPJES SE KATEDRALES

7 marsi i vitit 1991 ishte një ditë pak e zymtë dhe me rigime shiu. Rrugët ishin gri dhe varfëria ndihej ngado në Shkodër e në Shqipëri në ato ditë që pasoheshin nga rënia e komunizmit, i cili e varfëroi këtë popull në mënyrë dramatike. Por në mes të asaj varfërie një dritë shprese ishte ndezur: feja. Ishte kthyer liria fetare prej pak muajsh me kremtimin e meshëve të para tek kapela e Varrezave katolike të Rrmajit. Dhjetorin, janarin, shkurtin populli katolik i Shkodrës e kishte kaluar me shërbesa fetare tek ajo kapele dhe në çdo shtëpi pasi edhe nëpër shtëpi kryheshin sakramentet për popullin e etur për Zot.
Më 7 mars 1991, një grup besimtarësh, të udhëhequr nga dom Zef Simoni dhe atë Aleks Baqli, me një kryq hekuri që mbahej nga një grup të rinjsh. si dhe me fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë, u nisën nga Varrezat e Rrmajit në drejtim të Katedrales, që ishte e shndërruar në pallat sporti. Ata ecnin si me ngut sepse donin Kishën ... tempullin nga ku do të lartësonin lutjen e përbashkët. Dhe ashtu së bashku hynë në Katedrale, hoqën koshat e basketbollit .. e më pas ndërsa salla ushtonte nga kënga e “Zojës së Shkodrës” dhe “Christus Vincit” një grup burrash morën kryqin që kishin sjellë, u ngjitën në kulmin e ndërtesës së dhunuar nga diktatori dhe prej atje hodhën poshtë sirenën e alarmit që shtinte vrerin sa herë tingëllonte dhe në vendin e saj vendosën Kryqin, simbolin e fitores së Krishtit mbi djallin dhe të keqen. Ah, t'i shihje shkodranët si shpërthenin nga gëzimi atë ditë ... asgjë s'ishte vuajtja, as burgu e as varfëria ... ata ishin të lumtur, se po shkruanin një histori me Zotin dhe me Kishën.
E gjithë ajo ditë dhe disa të tjera që do të vijonin do të filmoheshin nga dy meshtarë të ardhur nga Kosova, dom Dodë Gjergji dhe dom Lucjan Avgustini (sot të dy ipeshkvij në popullin shqiptar) të cilët na bënë nder duke dokumentuar atë ngjarje, atë gëzim.
Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult dhe Famullia e Shën Shtjefnit Shkodër, duke dashur ta kujtojë këtë 20-vjetor të hapjes së Katedrales pas regjimit komunist, organizuan momente të ndryshme fetare e artistike.
Në vigjiljen e 20-vjetorit, të dielën, dt. 6 mars, në Sallën Kardinal “Mikel Koliqi” në ora 18:00, do të shfaqej “I sëmuri për mend”, vepër e autorit Molier, e vënë në skenë nga nxënësit e Shkollës “Maria Ndihmëtare”, përgatitur nga Z. Gjovalin Gjoni, nën kujdesin e Motrave Saleziane.
Ndërsa ditën e hënë, dt. 7 mars, që ishte edhe data e 20-vjetorit, u kremtua Mesha solemne e kësaj rrethane nga Sh. T. Imzot Angelo Massafra, në shenjë falënderimi Zotit dhe lutjeje për të gjithë protagonistët e atyre ditëve. Emocionues ishte fakti se administratori famullitar kishte kërkuar që në këtë meshë të këndonin kori i grave të Katedrales, pasi shumica e atyre grave ishin gjithashtu protagoniste të marrjes së Katedrales. Pas Meshës, nën kujdesin e Arqipeshkvit, në fund të Katedrales u inauguruan dy pllaka memoriale, ku njëra përkujton historinë dhe ngjarjet e lidhura me Katedralen e tjetra pasqyron datën historike të vizitës së Shërbëtorit të Hyjit Gjon Pali II në Katedralen e Shkodrës.
Do të përfundonte ky përkujtim me një festë pupollure të organizuar nga Këshilli Baritor i Famullisë së Shën Shtjefnit, që duke qenë në atmosferën e karnavaleve, kishin përgatitur disa bejta popullore, pak festë e petulla.
Dom Gjovalin Sukaj

KËSHILLI PAPNOR “DREJTËSI DHE PAQE”
Me datë 4 mars 2011, presidentët e Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Europës si dhe Sekretarët e Përgjithshëm të këtyre Komisioneve u ftuan nga Këshilli Papnor Drejtësi dhe Paqe. Nga vendi ynë morën pjesë në këtë takim drejtuesit e Komisionit Drejtësi dhe Paqe të Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra, President i këtij Komisioni si dhe Luigj Mila, Sekretar i Përgjithshëm. Takimi i cili u zhvillua në Romë, në “Villa Aurelia”, u drejtua nga Shkëlqesia e Tij, Kardinali Turkson, President i Këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i këshillit Papnor për Drejtësi dhe Paqe Shkëlqesia e Tij, Imzot Toso.
Në fjalët e tyre Kardinal Turkson dhe Imzot Toso, bënë një përmbledhje të veprimtarive që ky dikaster ka realizuar duke vënë theksin tek Doktrina Sociale e Kishës si dhe puna që po bëhet për përvetësimin dhe vënien në jetë nga një masë sa më e madhe besimtarësh dhe jo besimtarësh.
Më pas fjalën e mori presidenti i radhës i Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Europës, Imzot Gerad Defois, i cili bëri një përmbledhje të aktiviteteve kryesore që këto Komisione kanë realizuar gjatë viteve të fundit, qofshin ato të përbashkëta apo të realizuar nga komisione të veçanta.
Po ashtu fjalën e morën presidentët e disa nga Komisionet për të paraqitur aktivitetet e përbashkëta europiane të realizuara në vendet e tyre. Ndër të tjerë fjalën e mori edhe presidenti i Komisionit Shqiptar Drejtësi dhe Paqe, Imzot Angelo Massafra i cili falënderoi Shkëlqesinë e Tij Kardinalin Turkson dhe stafin e Tij për ftesën dhe për organizimin e këtij takimi prezantues dhe njohës. Po ashtu Imzot Massafra iu bëri të njohur pjesëmarrësve aktivitet kryesore që komisioni ka realizuar gjatë këtyre viteve si; përkthimi i mesazhit të Atit të Shenjtë dhe kremtimi i Ditës Botërore të Paqes që nga viti 2000, realizimi i EDP-së, Programi i Ekspozimit të Dialogut, realizuar në bashkëpunim me Komisionet Europiane, realizimi i takimit ndërkufitar për mjedisin, po ashtu në bashkëpunim me Komisionet Europiane DP, realizimi i studimit për gjakmarrjen si dhe seminaret e ndryshme të lidhura me këtë problem etj. Në tre ditët në vazhdim Komisionet vazhduan punën në rang Sekretarësh të Përgjithshëm, duke u ndalur veçanërisht në vazhdimësinë institucionale dhe funksionale të këtyre komisioneve. Një vend i veçantë iu la përgatitjeve për realizimin e Asamblesë së Përgjithshme që këto Komisione do të mbajnë në muajin shtator të këtij viti në Shqipëri. Zoti Luigj Mila i informoi të pranishmit për ecurinë e këtyre përgatitjeve, duke shprehur kënaqësinë që Shqipëria do të jetë mikëpritëse e kësaj Asambleje, ku do të marrin pjesë rreth 30 Komisione nga Europa Perëndimore dhe ajo Lindore.
Luigj Mila

DOM NIKOLLË KAÇORRI

Të martën më 1 shkurt 2011, në Vjenë të Austrisë u analizuan eshtrat e dom Nikoll Kaçorrit. Më 6 shkurt gjithnjë në kryeqytetin e Austrisë u kremtua Mesha e Shenjtë në përkujtim të tij, ndërsa më 9 shkurt eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit u bartën drejt Shqipërisë, ku dhe u bë rivarrimi i tyre në atdhe e pikërisht në Kishën e Shën Luçisë në Durrës.
Meshën solemne e kryesoi Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësi Imzot Rrok Mirdita.
Dom Nikollë Kaçorri u lind në vitin 1868 në Krejë-Lurë në Shqipëri dhe vdiq me 29 maj 1917 në Vjenë. Rrjedh prej një familjeje katolike dhe myslimane, sepse nëna e tij ishte myslimane ndërsa babai katolik. Ai kreu shkollën jezuite. Pas përfundimit të suksesshëm të seminarit, Nikollë Kaçorri shkon në Itali, ku dhe diplomohet në studimet filozofike e ato teologjike pranë “Propaganda Fide”.
Shugurohet meshtar më 1890 dhe tre vjet më vonë emërohet prift i Kishës Katolike në Durrës. Punoi 24 vjet edhe si vikar i përgjithshëm. Pas emërimit të tij si famullitar në Durrës, dom Nikollë Kaçorri u përfshi në formimin e shumë shoqatave dhe vëllazërive kishtare e atdhetare. Në këtë periudhë të shërbimit të tij meshtarak në Durrës, pati marrëdhënie shumë të mira me qeverinë Austro-Hungareze, e cila merrej me krijimin e shkollave dhe shkollimin e popullsisë katolike e të shqiptarëve në përgjithësi.
Dom Nikollë Kaçorri qe edhe përhapës i librit shqip si dhe i shtypit shqiptar patriotik dhe mori pjesë në shumë lëvizje kulturore e politike shqiptare.
Po kështu mori pjesë në Kryengritjen e Kurbinit (1905-1907). Gjatë kësaj periudhe, dom Nikollë Kaçorri personalisht kontaktoi me shumë diplomatë austriakë në Durrës e kërkoi angazhim serioz për të zbardhur gjendjen e rëndë në Kurbin që kishte krijuar Esat Pasha me forcat turke. Më 14 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit ku u vendos Alfabeti i gjuhës shqipe. Mori pjesë në Kongresin e Dibrës në vjeshtën e vitit 1908, në qendër të të cilit ishte synimi i xhonturqve për të bërë për vete shqiptarët, e dom Nikollë Kaçorri reagoi me shumë delegatë të tjerë, pasi i kuptoi synimet e xhonturqve. Në vitin 1909 themeloi klubin patriotik të Durrësit, ndërsa më 18 qershor 1910, dom Nikollë Kaçorri u arrestua nga forcat turke si kundërshtar i urdhëresave të qeverisë osmane dhe të sulltanit.
Dom Nikollë Kaçorri mori pjesë në organizimin e kryengritjes së vitit 1911 dhe të asaj të vitit 1912 kundër turqve. Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, ndër të cilët dom Nikollë Kaçorri nënshkroi i dyti. Pra, dom Nikollë Kaçorri ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës të vitit.
Pas një sëmundjeje të shkurtër, dom Nikollë Kaçorri vdiq në Vjenë, më 29 maj 1917. Në varrimin e tij, më 1 qershor 1917, morën pjesë komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarshall Braun, Kryekonsulli i Shkodrës, e veja e konsullit Austro-Hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor 1917, në kishën “Maria Treu” u kremtua Mesha për të.

Dom Dedë Demaj

11 SHKURTI – DITA E TË SËMURËVE

Një nga sektorët e rëndësishëm të Caritasit Dioqezan Shkodër-Pult është edhe sektori i shëndetësisë. Përgjegjëse e këtij sektori është Dr. Enza Ferrara M. F. Jezusit Fëmijë. Motrat kryejnë shërbime të ndryshme mjekësore pa bërë dallime moshe, etnie apo feje, pasi për ne të krishterët rëndësi ka njeriu. Janë tri qendra shëndetësore në: Shkodër, Bajzë dhe Prekal, tri infermieri në: Shkodër, Juban dhe Rragam, katër qendra konsultimi në: Stare, Trush, Kir, Shkodër. Në këto qendra shërbejnë motrat e Shpëtimtarit Hyjnor, M. Skalabriniane, M. Françeskane Misionare të Suzës, M. Françeskane të Krishtit Mbret, Motrat Vinçenciane, Stigmatine dhe Engjëllore. Në disa nga këto qendra disa herë në vit specialistë të huaj si okulistë, ortopedë, neurologë etj. janë të pranishëm për të ndihmuar dhe kryer vizita ndaj të sëmurëve.
Për t'u bashkuar me Atin e Shenjtë Papa Benedikti XVI, më 11 Shkurt 2011, në orën 15.00. kemi kremtuar Meshën e Shenjtë të gjithë së bashku: të sëmurët dhe punonjësit e shëndetësisë. Kisha ishte e mbushur plot me të sëmurë, ardhja e të cilëve u bë e mundur me ndihmën dhe kontributin e motrave dhe meshtarëve. Bashkëkremtimi i Meshës së Shenjtë u drejtua nga Arqipeshkvi ynë, pas Meshës u bë procesioni në Katedralen me Shenjtërueshmin Sakrament. Më pas për të gëzuar së bashku, në qendrën Mikel Koliqi u dha një program artistik ku krahas të rinjve të “Illyricum”, Korit Nënë Tereza, Famullisë së Shën Shtjefnit etj. të cilët vullnetarisht na ndihmuan për ta realizuar këtë spektakël, protagonistë ishin edhe të rinjtë e fëmijët e Projektit Shpresa, Qendrës Ditore të Zhvillimit, M. Nënë Tereza, Madonnina del Grappa, shkolla speciale, të cilët i falënderojmë shumë etj. Në fjalën e tij përshëndetëse Imzot Angelo Massafra theksoi:“Kur kemi probleme gjejmë ngushëllim tek Zoti, po kështu duhet të jemi edhe ne, ngushëllim për të tjerët, edhe me mënyra të thjeshta, duke u solidarizuar me ta, duke iu qëndruar pranë, edhe me një mesazh ngushëllues, me një shtrëngim dore, por gjithmonë në emër të Zotit, pasi kush punon e vepron në emër të Zotit gjithmonë do ketë mbështetjen e tij”.
Të pranishme ishin edhe Znj. Irena Shestani, Drejtore e Shëndetit Publik për rrethin e Shkodrës, Znj. Marie Koliqi, Drejtore e Qendrës Ditore të Zhvillimit dhe Znj. Julia Cepi, Drejtore e Shërbimeve Sociale, Bashkia Shkodër. Në përshëndetjen e tyre falënderuan Caritasin Dioqezan Shkodër-Pult, motrat dhe të gjitha realitetet e tjera të Kishës Katolike që krahas institucioneve shtetërore, kryejnë shërbime shëndetësore dhe sociale duke ndikuar në zvogëlimin e problemeve të popullsisë.
Kjo festë solli shumë momente gëzimi tek të pranishmit, sidomos tek ata, të cilët për shkak të kushteve shëndetësore, dalin shumë rrallë nga shtëpitë e tyre.

Jolanda Marena

SINDONA NË SHKODËR

Kopja e Sindonës së Shenjtë në Shkodër
Në Katedralen e Shkodrës, nga viti 2000, në kapelën e Shenjtërueshmit Sakrament gjendet një kopje e origjinalit të Sindonës të Shenjtë: është dhuratë e arqipeshkvit të Torinos Kardinalit Poletto, gjatë vitit jubilar. Në fillimin e vitit arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra e ftoi don Giuseppe Ghiberti me Sekretarinë e Sindonës për prezantimin e studimeve mbi këtë reliket ë shenjtë, Sindonën. Don Ghiberti pranoi ftesën dhe në datat 22-25 mars 2011 ka qenë në Shkodër me grupin e tij.
Sindoni (Çarçaf) i shenjtë është një pëlhurë lini e ruajtur në Katedralen e Torinos (Itali). Ky Çarçaf apo pëlhurë është ai në të cilin e mbeshtollën Juzusin kur e ulën nga Kryqi dhe e vendosën në varr të ri.
Programi i vizitës së Sekretarisë së Sindoit parashikonte takimet me nxënësit e shkollave katolike dhe me besimtarët në Sallën Kardinal Mikel Koliqi dhe në Katedrale të Shkodrës. Qe një përvojë e përjetim i fortë shpirtëror.


PAK HISTORI MBI ETAPAT E RRUGËS SË SINDONIT
Historia më e lashtë e Sindonit është e lidhur me një fakt të errët: data e origjinës së tij. Raporti i analizës së C 14 i pranishëm në Kohën sindonike i shpallur më 13 tetor 1988 e daton mes viteve 1260 dhe 1390: nëse ai është i besueshëm, historia e Sindonit përputhet me periudhën e tij europiane të njohur; përndryshe duhet shkuar më prapa.
Në vitin 1353 në Lirey, në dioqezën e Troyes në Francë, po përfundonte një Kishë, që ishte ndërtuar në nder të Lajmërimit të Marisë prej zotërisë së vendit, Geoffroy de Charny, i cili vendosi aty Sindonin, duke ua besuar kanonikëve të kishës (për këtë paragraf krh. Zakoni 1997). Sindoni u bë menjëherë objekt nderimi, me një vërshim të madh të popullit. Kjo gjë nuk qe pa polemika, të cilat vazhduan për dhjetëra vjet, duke përfshirë botën e autoriteteve, prej ipeshkvit Pierre d'Arcy deri te mbreti Karli VI dhe tek antipapa Klementi VII. Duke filluar me akuzën e relikes së rremë, përfunduan me pohimin e lejes për paraqitje, megjithëse me maturi. Që atëherë është e mundur të ndiqen pa ndërprerje ngjarjet e asaj pëlhure: në vitin 1418 u tërhoq prej kishës së Lirey nga Charny e fundit, gruaja e Humbert de La Roche, Margerita, që në vitin 1453 ia dha Ludovikut të Savoiave. Savoiat e ruajtën me kujdes dhe e morën me vete në zhvendosjet e tyre, deri sa në vitin 1502 e vendosën në kapelën e pallatit të tyre dukal në Chambéry, ku në vitin 1506 pati prej Papës Xhulio II një liturgji të vetën (festa e 4 majit) dhe ku pësoi djegien shkatërrimtare të 4 dhjetorit 1532 (me riparimet e klariseve të Chambéry në vitin 1534). Në vitin 1578 Emanuel Filiberti e transferoi në Torino, kryeqendrën e re të dukatit të tij, dhe në vitin 1694 u vendos në Kapelën e Guarinive, e ndërtuar në vijën ndarëse të Duomos dhe të pallatit mbretëror të Torinos. Ndoqi përsëri familjen mbretërore në Liguria në vitin 1706 dhe u largua për herë të fundit prej qytetit mes viteve 1939 dhe 1946, duke u mirëpritur prej murgjërve të Montevergjines, në Kampania, për t'iu shmangur rreziqeve të bombardimeve të Luftës II Botërore. Paraqitjet e periudhës savoiarde dhe torineze fillimisht qenë të shpeshta, por që prej vitit 1700 u bënë më të rralla. Ishin të zakonshme kur kremtoheshin data të gëzueshme të dinastisë: për shembull për dasmën e Viktor Emanuelit (II) në 1842, të Umbertit (I) në 1868, të Viktor Emanuelit (III) në 1898, të Umbertit (II) në 1931 (dy të fundit me vonesë). Më pas qenë paraqitjet e vitit 1933 (për “jubileun e shëlbimit”), 1978 (për 400 vjetët e mbërritjes në Torino), 1998 (për 100 vitet e fotografisë së parë, 500 vitet e Duomos dhe 1600 vitet e “koncilit të Torinos”) dhe 2000 (për jubileun e vitit dymijë). Në 1973 u lejua një paraqitje televizive. Në raste të ndryshme pati paraqitje private: për shembull në vitin 1804 për Piun VII që kalonte nëpër Torino drejt Francës, në vitin 1980 për Gjon Palin II dhe për eksplorime të ndryshme, si ai i 14 prillit 1997, pas flakëve të natës mes 11 dhe 12 prillit (prej të cilave Sindoni shpëtoi i padëmtuar). Në vitin 2002 u hoqën arnat e riparimeve të vitit 1534 dhe u vendos një tjetër astar (në vend të të hershmes “pëlhurë të Hollandës”) për të larguar degradimin karbonioz të akumuluar në shekuj.
Se si Sindoni ka arritur në Lirey nuk dihet me qartësi: flitet për dhuratë apo për “arritje”. Rruga e mëparshme është hipotetike dhe rindërtohet në bazë të lajmeve me interpretim të pasigurt (krh. Dubarle, 1985 dhe 1998). Viti 1204 është një datë themelore, për lajmet që kryqtarët latinë përçuan mbi qytetin e Konstantinopojës. Njëri prej tyre, Robert de Clari, përshkruan reliket që ka nderuar në kryeqytetin e krishterë të Lindjes: mes tyre një Sindon në të cilin është i dukshëm imazhi i Krishtit. Pas grabitjes së Konstantinopojës nuk kujtohet më prania e saj në atë vend dhe mendohet se ka arritur në Perëndim ose në duart e Templarëve ose, pas një qëndrimi në Athinë, në duart e kalorësve francezë që ishin ndalur aty.
Nëse për “Sindonin” e Lirey-t është e lehtë të flitet për identitet me atë aktual të Torinos, është shumë më e vështirë të bëhet një një e tillë për “sindonin konstantinopolitan”. Në pritje që të zgjidhet me siguri problemi i këtij identiteti, është e pamundur të shtrohet përsëri pyetja e shtruar për Sindonin konstantinopolitan: çfarë kishte ndodhur me atë “sindon”, para se të arrinte në “Romën e dytë”? Është shumë e mundur që ai të jetë ruajtur në Romën e Lindjes që në vitin 944, kur perandori konstantinopolitan Romani I arriti të zotëronte mandilion-in e Edesës (gjë që presupozon identifikimin e dy zbulimeve: “mandilion” dhe “sindon”, si një realitet i vetëm dhe identik). Burim i informacionit kryesor është homelia e bërë nga Gregor Referendari për mbërritjen e figurës më 16 gusht 944. Ai flet për fytyrën e përgjakur dhe për ijën prej të cilës rrjedh gjak e ujë. Në Edesë ky imazh është i pranishëm në fillim të shekullit VII dhe shpjegohet duke iu referuar legjendës së Abgarit, të cilit thuhet se i është dërguar, “jo i bërë prej duarve të njeriut”, nga ana e vetë Jezusit. Për një dokumentim në lidhje me këto hipoteza shih Wilson, 1978 dhe 1998 (autor dhe përhapës i kësaj hipoteze), Dubarle, 1985 dhe 1998, G. Zaninotto (cit. në Dubarle dhe Zaccone), Zaccone, 1997).
Bërthama historike në këtë kompleks lajmesh është e errët dhe për vështirësitë e saj janë bërë përpjekje të jepen shumë përgjigje. “Mandilion”-i tregon vetëm fytyrën e Jezusit, por flitet për pëlhurë “tetradiplon” (të palosur katërfish), ndoshta sepse vendi i çarçafit, i palosur më dysh dhe pastaj më katërsh, e linte të zbuluar dhe të dukshme vetëm një të tetën e sipërfaqes së plotë, pra atë të fytyrës (por mbi gjithë këtë çështje shih K. Dietz, në Scannerini-Savarino, 2000, 330-357, që e korrigjon hipotezën). Kjo fytyrë qe soditur prej artistëve të perandorit Justinian, i devotshëm ndaj relikes së Edesës dhe mbrojtës i saj. Thuhet se ai ka bërë të përdoret një model (i vërtetuar duke nisur prej ikonave të hershme të Shenjtes Katerinë në Sinai) që duket se imponohet me përvijime të qëndrueshme: fytyrë me mjekër dhe flokë të gjata, të ndarë në majë të kokës, ndoshta të plotësuar prej një kaçureli të lënë të lirë në qendër të fytyrës; fytyrë asimetrike, e shkaktuar prej enjtjes së faqes së majtë. Nga njëfarë lëvizjeje përhapet edhe “vaji i Krishtit”, të zbritur prej kryqit dhe të vënë mbi një pëlhurë të vendosur në tokë. Për shumë kohë duket se te Sindoni është vështruar vetëm pjesa që tregonte fytyrën. “Mandilion”-i për një pjesë të popullsisë së Edesës përbënte një relike, për të tjerë arsye skandali, sidomos në periudhën e kopjeve të “mandilia”-s: të njohura janë ato të Gjenovës dhe të Vatikanit, por duhet të ketë pasur të paraqitura edhe në Konstantinopojë. Ata që e pranojnë këtë hipotezë e lidhin me njërën prej fazave të traditës së Abgarit V ardhjen e Sindonit të Jerusalemit në Edesë dhe datën gjatë shekullit II. Gjendja e përshkruar e gjërave gjykohet në mënyra të ndryshme prej përgjegjësve të vlerave: mungesa e lajmeve të sigurta për një periudhë prej trembëdhjetë shekujsh mbahet prej disave si një vështirësi e pakapërcyeshme, njëra prej pikave të dobëta të argumentit shkencor mbi Sindonin. Të tjerë e mbajnë këtë dukuri jo edhe aq të jashtëzakonshme, në krahasim me gjetje të hershme që jo rrallë shfaqen pa tjetër lajm për veten përveç realitetit të tyre, dhe apasionohen ndaj gjurmëve që lejojnë hipoteza jo të paarsyeshme. Por është e vërtetë se kjo gjendje e gjërave kërkon përdorimin e informacioneve të tjera, që mund të jepen vetëm prej studimit shkencor të objektit në vetvete.

Nga “Dizionario Interdisciplinare di Scienze e Fede”
Nga “Fjala e Paqes”, lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult Nr. 2 (97) Viti XIII Shkurt - Mars 2011


AKTIVITETE TË ARQIPESHKVIT MASSAFRA JASHTË SHQIPËRISË

Arqipeshkvi ynë, Imzot Angelo Massafra ka pasur këto angazhime: Pas dorëzimit të dosjeve të “Martirëve” në Romë te Kongregata e Çështjeve të Shenjtërve, më 15 janar, Imzot Angelo dhe Fra Vinçenci shkuan në Avezzano për të takuar e vizituar Dom Antonio Sciarra, misionar në Shqipëri: qe një surprizë dhe një gëzim i madh për të gjithë.
Më 20 janar, festën e Shën Sebastianit, duke qenë ftuar nga don Leonardo Falco, dikur, misionar në Shqipëri e famullitar në Rragam-Sheldi, Imzot Massafra shkoi në Lauro, në famullinë e tij për të kremtuar meshe Pontifikale në nder të shën Sebastianit e më pas mori edhe pjesë në procesion: qe një përvoje shumë e bukur.
Më 22 janar, e shtune, për Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, që kishte si temë: “Të bashkuar në mësimin e apostujve, në bashkim, në lutje dhe në thyerjen e bukës (Vap 2, 42)” shkoi në Molfetta, i ftuar nga P. Stefano Dinapoli OFM Capp., në famullinë Zemra e Shenjtë për të kremtuar Meshën dhe për të pasur, pas Meshës, një relacion mbi temën: “Integrimi i bashkësive shqiptare në Pulja. Perspektivë ekumenike dhe ndërfetare”.
Më 5-6 shkurt ishte në Taranto, në Kuvendin Françeskan kushtuar shën Pasquale, për të kremtuar Meshën me rastin e festës së Shën Egidio Maria di San Giuseppe, shenjt françeskan nga Taranto. Ishin të pranishëm F. Tommaso Leopizzi, Ministër Provincial dhe F. Ettore Marangi, Zëvendës Provincial dhe shumë besimtarë. Me datë 5, në mbrëmje, mori pjesë në procesion përreth famullisë, nëpër rrugët e ndriçuara me shumë dritë, me një pjesëmarrje të shumë besimtarëve. Në fund, para kthimit në Kishë u hodhën fishekzjarrë të bukura që reflektoheshin mbi det.
Më 7 shkurt Imzot Angelo Massafra kremtoi Meshën në fshatin e tij San Marzano di San Giuseppe, për tëa falënderuar Famullitarin, Kryetarin e Komunës dhe besimtarët për angazhimin për të na ndihmuar në ndërtimin e kishës dhe e kampanielit në Vinotekë (Grudë e Re).
Më 19 shkurt, së bashku më Atë Aurel Gjerkaj OFM, Gjykatës, Imzot Massafra, Moderator i Gjykatës sonë, shkuan në Bari për të marrë pjesë në Inaugurimin e vitit të Gjykatës Kishtare të Krahinës së Puljes, me seli në Bari, e cila është Shkalla e dytë ose Apeli i Gjykatës Kishtare Ndërdioqezane Shqiptare, me seli në Shkodër.
Në fund, më 3-5 mars Arqipeshkvi, i ftuar nga Këshilli Papnor “Drejtësi e paqe” mori pjesë në Romë në takimin me Presidentët dhe Sekretarët ë komisioneve Evropiane “Drejtësi e paqe”.

TAKIMI I TRETË I JUNIORATATIT

Ecja jonë për një rritje dhe një vetëdijshmëri më të madhe për dhuratën e kushtimit vazhdon. Për këtë takimi radhës ishte më 11-13 mars. Takimin e uAdhëhoqi Atë Mario Imperatore SJ, i cili trajtoi temën: “Jeta e Kushtuar si dhuratë për misionin”. Ai filloi duke thënë që misionari i parë ishte vetë Krishti, sepse qendra e vëmendjes dhe e Misionit të Tij ishte gjithmonë Ati, dhe qëllimi kryesor i jetës së Jezusit ishte që të bëhet të njihet fytyra e Atit. Kjo e vërtetë na ka kujtuar dhe ka rifreskuar në ne bukurinë, përgjegjësinë dhe rëndësinë e thirrjes sonë. Jemi të thirrur të dëshmojmë me jetën tonë dashurinë e Atit, jetën e Tij të fshehur në çdo qenie njerëzore, jemi të thirrur të jemi sinjali i alarmit që kujton se Hyji është Hyji i jetës në një botë ku secili jeton në individualizmin e tij. Pastaj në një ligjëratë tjetër ai na kujtoi që misioni ynë është një mision universal, që kemi nevojë për një frymë universale dhe për një hapje shpirtërore përballë shenjave të kohës. Po, kjo është e vërteta më e madhe e jetës së kushtuar; një shikim përtej vetes, duke filluar nga kujdesi për ata që kemi afër, aftësi për të kërkuar gjithmonë më të mirën tek të gjithë, për të kërkuar atë që na bashkon, një shpirt universal, sidomos në takimin tonë me Hyjin. Lutja jonë duhet t'i përqafojë të gjithë, duhet të arrijë nevojat e gjithë botës. Ky është bashkimi dhe bukuria e jetës, sepse në Krishtin jemi një trup i vetëm.
Pas çdo ligjërate, secila prej nesh ka pasur një kohë reflektimi personal, pastaj punën në grupe që është gjithmonë një pasuri shumë e madhe, sepse me shumë thjeshtësi dhe përvujtëri secila prej nesh kërkon të bashkëndajë ecurinë e saj. Ditën e shtunë, Shkëlqësia e Tij Imzot Angelo Massafra kremtoi Meshën dhe si gjithmonë bashkëndau me ne disa momente. Dhe ditën e diel bëmë verifikimin e takimit dhe pastaj përfunduam me Meshën e Shenjtë. Këto takime janë një pasuri e jashtëzakonshme, një rritje në fe dhe në miqësi! Zoti dashtë që jeta jonë të jetë gjithmonë shenjë e pranisë së Tij në botë!
Motër Sofia dhe Motër Alma

150-VJETORI I LINDJES SË NËNË KLELIA MERLONIT

“Bija shumë të dashura, ajo që ju porosis ngrohtësisht, është të keni zell për lavdinë e Hyjit, sepse është e pamundur ta duash Hyjin dhe të mos kujdesesh për lavdinë e Tij... Kur dashuria hyjnore e zotëron një zemër, aty lind një dëshirë e madhe që ta bëjë Hyjin të njihet, të duhet dhe të shërbehet.” (N.m.I,fq.99).
Nënë Klelia Merloni, lindi në Forli më 10 mars të vitit 1861, nga Joakino dhe Tereza Brandinelli. Në moshën 3-vjeçare i vdiq nëna. Babai i saj Joakino duke qenë një tregtar i zoti, arriti të fitonte një pasuri të madhe brenda pak kohe. U martua përsëri me Maria Giovana Boerin në 1866-ën, grua e butë dhe shumë fetare e cila u bë për Klelien e vogël një nënë e vërtetë. Në moshën 9-vjeçare, Klelia e vogël studioi në kolegjin e Vizitandinëve në Sanremo, ku u përgatit dhe mori Kungimin e parë. U krezmua në qershor të vitit 1872. Klelia ishte një vajzë e shkathët dhe shumë e ndjeshme, por me një shëndet të dobët. Filloi të lindte në të mendimi për jetën rregulltare, gjë që e ndriçoi gjithë botën e saj të brendshme. I ati i saj, Joakini, e adhuronte bijën e saj të vetme dhe kujdesej shumë për edukimin e saj. Në vitin 1883 i vdiq njerka, të cilën e donte shumë. Ajo e kishte edukuar mirë Klelien në aspektin njerëzor dhe fetar. Klelia vuajti shumë edhe nga vdekja e njerkës, por e gjeti forcën në lutje, e kështu nuk u shkurajua. Tashmë Klelia e ndjeu qartë zërin e Zotit në thellësinë e zemrës së vet, dhe mori një vendim përfundimtar. Duke u lutur dhe duke u përpjekur të zbulonte vullnetin e Zotit për të, më 24 gusht të vitit 1892, hyri si postulante në Kongregatën e Bijave të Shën Marisë së Provanisë Hyjnore, në Komo. Themeluesi i kësaj Kongregate, don Luigji Guanella, e mirëpriti Klelien dhe i besoi në kujdes Jetimoren. Por gjërat filluan të merrnin një kthesë, pasi në janar të 1894-ës, Klelia u sëmur nga tuberkulozi, sëmundje e pashërueshme në atë kohë. Në mes të dhimbjeve dhe të vuajtjeve ajo i lutej pa pushim Zojës Mari, që t'i nxirrte hirin e shërimit. Klelia i bëri një premtim Zemrës së Krishtit, duke iu betuar se, nëse do të shërohej, do të themelonte një kongregatë kushtuar krejtësisht Zemrës së Shenjtë të Jezusit. Pasi u shërua mrekullisht, më 4 mars, e la Institutin e Don Guanelës dhe u vendos në Viareggio, vend të cilin nuk e njihte fare, por të parë dhe të dëgjuar në një ëndërr të mistershme. Më 30 maj të vitit 1894, themeloi Institutin e Apostulleve të Zemrës së Shenjtë të Jezusit. E gdhendur përballë shumë kundërshtimeve dhe vuajtjeve, i dhuroi gjithë jetën dhe pasurinë e saj Zemrës së Jezusit, me qëllim që kjo Zemër të njihej, të adhurohej, të duhej dhe të ruhej nga të gjithë. E re, e zgjuar, e pasur me shumë cilësi, entuziazmuese dhe dinamike, iu kushtua të varfërve, të vuajturve, jetimëve dhe nevojtarëve. Pati një dashuri të veçantë për formimin e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve. Lutej dhe dhurohej plotësisht për kthimin e mëkatarëve dhe për përhapjen e kultit të Zemrës së Shenjtë të Jezusit. E tërhequr prej Zotit, vuri në qendër të qenies së saj, Zemrën Hyjnore të Jezusit dhe i la Institutit e çdo bije të saj shpirtërore misionin për të qenë në Kishë: Apostulle e dashurisë; Apostulle e shpërblimit; Apostulle sikur Apostujt.
Më 21 nëntor të vitit 1930 vdiq në shtëpinë e përgjithshme në Romë, duke na lënë qartësinë e një jete të shenjtë. Sot për sot është në vazhdimësi procesi i lumturimit. Nënë Klelia jeton sot në jetën dhe në misionin e Apostulleve të shpërndara nëpër botë: në Shqipëri, Itali, Argjentinë, Brazil, Kili, Meksikë, Mozambik, Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Tajvan, Uruguai dhe Paraguai. Sot Apostullet e konkretizojnë dashurinë e Zemrës së Jezusit dhe të Kishës nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme: në edukim, shëndetësi, zhvillimin njerëzor, katekezë dhe baritore; në mision dhe ungjillëzim. Motoja e Nënë Klelies ishte dhe është: JU BEKOJ ME 100 ZEMRA!
Me gëzim të madh dhe mirënjohje ndaj Zotit, ne Apostullet e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, e festuam 150-vjetorin e lindjes së themelueses sonë Nënë Klelia Merloni, bashkë me personat që na janë besuar prej Zotit në apostullimin tonë të përditshëm, me mësuesit, nxënësit dhe me personelin e shkollës “Cor Jesu”. Ditën e enjte më 10 mars 2011, në ambientet e shkollës sonë “Cor Jesu”, u zhvilluan aktivitete nga më të ndryshmet ku protagonistët ishin vetë fëmijët, djemtë dhe vajzat e shkollës. E gjithë festa u përmblodh në njohjen më të thellë të virtyteve të Nënë Klelies, e nxënësit, të ndihmuar nga mësuesit, zgjodhën ato virtyte që iu nevojiten më shumë për jetën e tyre të përditshme siç është: besimi në Zotin, bujaria me njëri-tjetrin, mirënjohja ndaj Zotit, përdorimi i mirë i kohës, butësia dhe falja. Pasdite në orën 16.00, në Kishën e Arrës së Madhe, u kremtua Mesha e Shenjtë nga Shkëlqesia e tij Imzot Angelo Massafra, i cili duke u përqendruar tek përshpirtëria e Nënë Klelies, u tha të pranishmëve e sidomos nxënësve, ta dëgjojnë zërin e Zotit i cili troket edhe sot në zemrën e tyre. Mund të them se në këtë ditë tepër të veçantë për ne Apostullet, Nënë Klelia, qe shumë e pranishme dhe e gjallë në zemrat e të gjithë të pranishmëve. E lusim Zemrën e Jezusit që, sa më shpejt Kisha ta nderojë Nënë Klelien si Shenjte. Gjithashtu që Jezusi të vazhdojë të thërrasë pas vetes një numër të madh apostullesh të kushtuara Zemrës së Tij.
Ditën e nesërme nxënësit shprehën mbresat e tyre në lidhje me festën e Nënë Klelia Merlonit. Ja dy prej tyre:
“Mendoj se gjithçka ishte e bukur për festën e Nënë Klelia Merlonit. E gjithë shkolla jonë festoi dhe më pëlqeu shumë mënyra e organizimit të kësaj feste. Të gjithë nxënësit e shkollës sonë, duke filluar nga fëmijët e kopshtit e deri tek klasa IX, morën pjesë për ta kujtuar Nënë Klelien. Përveç festës zhvilluar në shkollë, pasdite u kremtua edhe Mesha e Shenjtë nga Ipeshkvi ynë Imzot Angelo Massafra. Mes këshillave që na ai dha më bëri më shumë përshtypje thirrja e tij se, ne njerëzit e shkruajmë fatin tonë me duart tona. Më pëlqeu shumë edhe se në këtë Meshë këndoi kori i shkollës sonë, si dhe momenti kur i dhuruam lule Imzot Angelo Massafrës si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kujdesin dhe praninë e tij të vazhdueshme në ambientet e shkollës sonë.”
Kristina Kodra, Shkolla ”Cor Jesu” Klasa VIIB

“Në shkollë ndjeva një ndjenjë harmonie dhe gëzimi brenda vetes kur pashë iniciativën e të gjithë nxënësve për të vënë në dukje virtytet kryesore që na propozon Nënë Klelia, për ta jetuar sa më mirë jetën e krishterë dhe për t'i pëlqyer Zotit. Leximi i historisë së jetës së saj, dramatizimet e krijuara nga vetë nxënësit, të frymëzuara nga virtytet e Nënë Klelies, vallet që ia shtuan bukurinë kësaj feste, pantomimat, poezitë dhe powerpoint-i, bënë që kjo festë të ishte shumë e bukur. Gjithçka e këtij aktiviteti bëri që Nënë Klelia të ndihej e gjallë në shpirtin tonë. Po ashtu edhe në Meshën e Shenjtë më bënë përshtypje fjalët e mençura të Imzot Angelo Massafrës, i cili tha se ne njerëzit kemi gjithmonë prirjen që të gjejmë një arsye për t'ia hedhur fajin dikujt tjetër. Ai na foli rreth gjërave të mira të cilat na çojnë në rrugën e Jezusit dhe se Ai troket vazhdimisht në zemrën tonë.”
Ardita Vata, Shkolla ”Cor Jesu” KlasaVIII

Përgatiti Motër Violeta Koleci

DITA BOTËRORE E EMIGRANTËVE 2011 “NJË FAMILJE E VETME”

Bashkësia e shqiptarëve në Romë, së bashku me Arqipeshkvin Imzot Angelo Massafra, festoi me datën 16 janar ditën botërore të emigracionit. Me datën 16 janar 2011 u kremtua në Romë, saktësisht në Sheshin e Shën Pjetrit – Vatikan, dita botërore e emigrantëve, ku si temë paraprirëse për emigracionin ishte “një familje e vetme njerëzore”. Të gjithë njerëzit, popujt e ndryshëm janë një familje e vetme, është kjo temë që duhet të jetë në qendër të reflektimeve të bashkësive emigruese gjatë këtij viti.
Kisha gjithmonë ka dhënë ndihmesën e saj për ruajtjen dhe vlerësimin e të drejtave themelore të njeriut, duke e konsideruar njerëzimin dhe botën si një familje e vetme me të drejta të barabarta. Nuk është ekonomia baza e marrëdhënieve mes njeri-tjetrit, por njeriu si një qenie absolute ku gjithçka i është dhuruar për realizimin e tij si individ, familje, shoqëri dhe bashkësi.
Me këtë rast, ne si bashkësi e shqiptarëve në Romë, lamë që të takohemi në sheshin e Shën Pjetrit në orën 11.30, për të vazhduar më pas me pjesëmarrjen në “Angelus” të udhëhequr nga Papa Benedikti i XVI. Ishte një ditë e veçantë, ku Papa do t'u drejtohej të gjitha bashkësive të kombësive të ndryshme që kanë emigruar në Itali, që ndodheshin aty si një familje e vetme, duke treguar se Ai, si Bari i Kishës Katolike është afër me gjithsecilin. Zëri i tij, përshëndetja dhe mësimi i Atit të Shenjtë, bënë që sheshi i mbushur plot e përplot të brohoriste herë pas here në shenjë bashkimi dhe afrimi me Papën dhe me njeri-tjetrin.
Ndër të tjera, Papa vuri theksin se pavarësisht që jemi të kombësive të ndryshme, i përkasim një familjeje njerëzore të vetme dhe të bashkuar, e shëlbuar nga Krishti, në shtegtim së bashku drejt takimit me të. Kisha gjithmonë është marrë me çështjen e emigracionit, duke mos u ndalur në atë që njeriu prodhon ose krijon, por në atë që është në vetvete krijesë e krijuar nga Hyji Atë për ta dashur atë dhe për të dashur të afërmin. Prandaj, jemi dhe duhet të ndihemi një familje e vetme, duke mos shikuar ndarjet gjeografike apo racore. Nga ana tjetër Papa u ka bërë thirrje shteteve që të kenë kujdes dhe të mbrojnë të drejtat e emigrantëve, dinjitetin e tyre njerëzor, duke vazhduar që me të drejtat shëndetësore, të shkollimit, të pajisjeve me të drejtat që i takon çdo qytetari.
Festës sonë në sheshin e Shën Pjetrit i u shtua edhe Imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv i dioqezës Shkodër-Pult. Prania e tij ishte një gëzim i veçantë për të gjithë ne, sepse bashkësia e Kishës shqiptare në Romë në personin e tij, ndjeu më afër afërsinë e praninë e Kishës shqiptare. Imzot Angelo Massafra ndodhej në Romë së bashku me fra Vinçenc Focà zëvendës postulator, për dorëzimin e materialeve dioqezane të Martireve Shqiptarë gjatë komunizmit pranë Kongregatës së Shenjtë për shpalljen e Shenjtërve. Mbas momentit të bukur të entuziazmit shpirtëror dhe të brohoritjeve të herëpashershme drejtuar Benediktit të XVI në shenjë dashurie, u drejtuam së bashku me Ipeshkvin tonë tek Kisha e San Giovanni, ku për çdo të diele në orën 16.00 kremtojmë Meshën e shenjtë në shqip për bashkësinë e shqiptarëve në Romë. Mes gëzimit të fëmijëve, pranisë së besimtarëve, rruga për te Kisha, si dhe qëndrimi aty deri në fillimin e Meshës u kthye në momente vëllazërore të paharrueshme.
Mesha e udhëhequr nga Imzot Angelo Massafra filloi në orën 16.00 Gjatë predikimit ai shpalli me gëzim të madh procesin e mbylljes nga ana dioqezane për shpalljen e Martirëve Shqiptarë. Një proces i gjatë për mbledhjen e materialeve shkrimore nëpër revista, botime e arkiva, dëshmi gojore të njerëzve që kanë qenë afër këtyre “martirëve” të cilët kanë dhënë jetën nëpër tortura nga më çnjerëzoret për fenë e tyre të palëkundur në Jezu Krishtin.
Afekti e fjalët e përzemërta të Atit të shenjtë drejtuar të gjitha bashkësive të emigrantëve, si dhe prania e Imzot Angelo Massafra me lajmin e bukur të dorëzimit të materialeve dioqezane për shpalljen “të lum” të martirëve shqiptarë, shtuan në zemrat e besimtarëve të bashkësisë shqiptare në Romë më shumë dëshirë për ta njohur e takuar Zotin, e për ta dashur më shumë njëri-tjetrin në shembullin e martirëve që e kanë dhënë jetën për Krishtin.

fra Vitor Demaj, ofm

LAJME NGA DIOQEZA E SAPËS KREMTIMI I RIKTHIMIT TË SHËN PELINIT

Pas manifestimit të organizuar nga Dom Antonio Sciarra për nder të Ipeshkvit martir të shekullit VII, Shën Pelinit nga Durrësi, zhvilluar javën e fundit të muajit shkurt 2011 në Dioqezën e Avecanos - Itali, një tjetër ceremoni u bë edhe në Dioqezën e Sapës në Shqipëri me rastin e kthimit në Atdheun e tij të trupores dhe relikeve të Shën Pelinit.
Të bashkuar në Katedralen Nënë Tereza në Vau – Dejës me datën 4 mars 2011, mbarë bashkësia Dioqezane mori pjesë në kremtimin eukaristik të kremtuar me këtë rast dhe udhëhequr nga Imzot Lucjan Avgustini. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe një delegacion nga Italia, kryesuar nga dy Ipeshkvijtë, Imzot Pietro Santorio, Ipeshkvi i Avecanos, Imzot Angelo Spina Ipeshkvi i Sulmonës, meshtarët dhe motrat e Dioqezës së Sapës. Në fillim të kremtimit u bë bekimi i Trupores së Shën Pelinit nga Imzot Avgustini, ndërsa gjatë homelisë së rastit Ipeshkvi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, posaçërisht vëllezërit e tij në episkopat dhe vuri në dukje rëndësinë e kësaj dite për Dioqezën e Sapës, për Shqipërinë dhe popullin tonë. “Me kthimin në Atdhe të trupores së Shën Pelinit, tha ai, ne i gëzohemi kësaj ngjarjeje që po i bëhet tokës shqiptare të martirizuar gjatë shekujve. Falë angazhimit personal të ish famullitarit të Blinishtit, Dom Antonio Sciarra, falë bashkëpunimit mes ipeshkvijve të pranishëm sot në Kishën Katedrale të Sapës, të cilët dhuruan truporen, pastoralin dhe kryqin, u mundësua kthimi dhe nderimi në vendin e tij, pikërisht në ditën e 4 marsit, datë kjo që na përkujton edhe 65-vjetorin e pushkatimit të martirëve të Kishës në Shqipëri, të Jezuitëve, Atë Giovanni Fausti nga Italia, birin e dioqezës sonë Atë Daniel Dajani, nga Blinishti, françeskanit Atë Gjon Shllaku dhe seminaristit Mark Çuni.” Duke vazhduar më tej, Imzot Lucjani u ndal në jetën e Shën Pelinit, në veprën e tij dhe në dëshmitë e jashtëzakonshme për fenë e Krishtit, për të cilin u martirizua. Në përfundim të Meshës përshëndetën edhe Ipeshkvijtë Imzot Santoro dhe Imzot Spina, të cilët falënderuan Zotin për dëshminë e madhe të fesë së ruajtur në Shqipëri dhe i luten atij që ta bekojë popullin shqiptar kudo që të jetë. Pas këtij kremtimi kujtojmë se truporja me reliket e Shën Pelinit, u nis nga Katedralja e Nënë Terezës, duke vijuar shtegtimin në vendqëndrimin përfundimtar në Kishën kushtuar Martirëve Shqiptarë në Blinisht të Zadrimës, për të vazhduar të nesërmen, datë 5 mars, me ceremoninë tjetër në kuadër të përvjetorit të Vtë të Shugurimit të Kishës së Martirëve Shqiptarë. Në këtë kremtim ishte një pjesëmarrje e madhe e besimtarëve, ku nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Ramiro Moliner Igles, i cili udhëhoqi kremtimin e shenjtë. Në fillim të kremtimit, Nunci Apostolik solli përshëndetjet e përzemërta të Atit të Shenjtë, i cili ishte i bashkuar shpirtërisht dhe mendërisht në kremtimin e rastit. Ndërsa në homelinë e tij ai citoi nga katekezi i Atit të Shenjtë, i cili pyeste se “ku bazohet martirizimi?” Dhe përgjigjja e tij ishte: “në vdekjen e Jezusit, në më të madhen sakrificë të tij të dashurisë të realizuar në kryq, që ne të mund të kemi jetën”.

TAKIM I LËVIZJES “MIQTË E ZADRIMËS”

Me datën 15 janar 2011, në Kurjen Dioqezane të Sapës, u zhvillua takimi i lëvizjes “Miqtë e Zadrimës”. Ky takim u organizua në kuadër të zbatimit të projektit “Edukim për zhvillimin e zonës së Zadrimës”. Në këtë lobing morën pjesë Promotori dhe udhëheqësi i këtij grupi, Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, kryetarët e Komunave të rajonit të Zadrimës, Përfaqësues të drejtorive të Bujqësisë të rretheve Shkodër e Lezhë, specialistë dhe ekspertë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zyrtarë e specialistë nga administratat publike, liderët e grupeve të fermerëve si dhe aktorët e shoqërisë civile që operojnë nëpërmjet programeve dhe aktiviteteve ekonomike në zonën e Zadrimës. Në fjalën e rastit, Imzot Lucjan Avgustini falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që i janë përgjigjur thirrjes së tij për bashkëpunim për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ai tha: “Nuk mund t'i mbyll sytë para realitetit që shoh, ku në njërën anë është pasuria e madhe e dhuruar prej Zotit me tokën e frytshme në Zadrimë, dhe në anën tjetër mungesa e njohjes së modeleve për të organizuar dhe për t'u angazhuar për një zhvillim më të mirë, e cila do të përmirësojë kushtet e jetës në familjet tona. Disa nga shkaqet që më kanë shtyrë për të marrë një nismë të tillë, theksoi Ipeshkvi, janë pamjaftueshmëria e njohurive të shumicës së fermerëve rreth kompleksitetit të kërkesave të tokës bujqësore dhe nevoja për t'i shërbyer si duhet; moskujdesi për ruajtjen e sistemimit si dhe vështirësitë që ndeshen në procesin e bashkëpunimit ndërmjet fermerëve për shkak të përvojës së hidhur të ish kooperativave bujqësore, të cilat akoma kanë lënë gjurmë në mendjet e banorëve të zonës. Kisha nuk ka modele për të propozuar. Modelet reale lindin në kuadrin e situatave të ndryshme, falë përpjekjes së të gjithë përgjegjësve që të përballim problemet konkrete në të gjitha aspektet e tyre shoqërore, ekonomike, politike e kulturore që gërshetohen mes tyre.”
Duke parë situatën e dobët ekonomike, por dhe resurset që ka kjo zonë, prej vitesh është hedhur ideja për zhvillimin e saj, pikërisht nga ish-Ipeshkvi i Sapës, Imzot Dodë Gjergji. Dhe në vazhdimësi Ipeshkvi aktual Imzot Lucjan Avgustini, përmes donatorëve, gjeti mundësinë e miratimit e mbështetjes financiare të këtij projekti. Me promovim të Dioqezës së Sapës, në bashkëpunim me Fondacionin “Partneritet për zhvillim”, me Caritasin Dioqezan Sapa, dhe me mbështetjen kryesore të donatorit Renovabis me qendër në Gjermani, kohëzgjatja e projektit është 24 muaj. Projekti në fjalë ka për qëllim zhvillimin rural, potencialet dhe mundësitë për të ardhmen; të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit në zonë, nëpërmjet futjes, aplikimit dhe edukimit të komunitetit me praktikat dhe modelet bashkëkohore të zhvillimit ekonomik drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të Rajonit. Objektiva specifike është ndërtimi i kapaciteteve të grupeve të fermerëve për të pasur një eficencë më të lartë ekonomike në aktivitetin e tyre prodhues dhe në menaxhimin e burimeve. Në këtë projekt janë të përfshira 5 njësi vendore në të cilën shtrihen 43 fshatra; këto njësi përfshijnë Bashkinë Vau-Dejës, Bashkinë e Bushatit, Komunën Hajmel, Komunën Dajç dhe Komunën Blinisht. Aktiviteti kryesor ku do të shtrihet projekti janë fusha e Bujqësisë, Blegtorisë, Pemëtarisë, Vreshtarisë dhe Artizanatit.

Violeta Marashi

ME KRYQIN, GJYKATA EUROPIANE MBËSHTET LIRINË FETARE

Vendimi i shpallur të premten nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e Strasburgut në favor të pranisë së kryqit në shkollat italiane ka marrë përshëndetjen e Selisë së Shenjtë, për të cilën bëhet fjalë për një vendim që “bën histori” në njohjen e lirisë fetare.
Atë Federico Lombardi S.I., drejtor i Sallës së Shtypit vatikanase, ka bërë një deklaratë për të shprehur “kënaqësinë” e Vatikanit pasi ka lexuar këtë “vendim shumë angazhues”.
“Në të vërtetë, Dhoma e Madhe e ka përmbysur në të gjitha profilet një vendim të shkallës së parë, të marrë në mënyrë të njëzëshme nga një Dhomë e Gjykatës, që kishte ngjallur jo vetëm apelimin e shtetit italian, por edhe mbështetjen e shumë shteteve të tjera europiane, në një masë të paparë deri tani, dhe aderimin e jo pak organizatave joqeveritare, shprehje e një ndjenje të popullsive”, pohon shënimi. Një rast historik. E kanë quajtur zyrtarisht Italia, Armenia, Bullgaria, Qiproja, Greqia, Lituania, Malta, Principata e Monakos, Rumania, Federata Ruse dhe San Marinoja.
Kjo çështje i ishte paraqitur Gjykatës së Strasburgut nga Soile Lautsi, shtetase italiane me origjinë finlandeze që në vitin 2002 i kishte kërkuar shkollës shtetërore “Vittorino da Feltre” të Abano Termes (Padova), në të cilën studionin dy fëmijët e saj, që të hiqnin kryqat prej klasave. Drejtoria e shkollës nuk kishte pranuar duke e konsideruar kryqin si pjesë të trashëgimisë kulturore italiane, dhe pastaj gjykatat italiane i kishin dhënë të drejtë këtij pozicioni.
Megjithatë, një vendim i shkallës së parë të Gjykatës së Strasburgut kishte vendosur njëzëri që të urdhërohej përjashtimi i kryqit prej shkollave italiane dhe e kishte dënuar Qeverinë italiane që t'i paguante gruas një dëmshpërblim prej 5.000 eurosh për dëme morale. Ai vendim i parë i historisë së kësaj Gjykate në fushën e simboleve fetare në klasat shkollore e ka konsideruar praninë e kryqit në shkollë si një dhunim të të drejtave të prindërve për t'i edukuar fëmijët në bazë të bindjeve të veta dhe të lirisë së nxënësve.
Përballë apelimit të paraqitur nga shteti italian, Dhoma e Madhe e Gjykatës e ka kundërshtuar rrënjësisht atë vendim të parë, duke vendosur me 15 vota pro dhe 2 kundër se prania e kryqave në klasa nuk përfaqëson një dhunim të të drejtave të prindërve dhe të lirisë fetare të fëmijëve, meqenëse nuk ekzistojnë elemente që mund të provojnë se kryqi ndikon te nxënësit.

Nga Zenit, Më 18 mars 2011

KUVENDI I LEZHËS

2 mars 1444-2011: qyteti i Lezhës ka marrë pamjen festive. Flamuj kombëtarë dhe shumë ngjyrëshe zbukuronin sheshin kryesor të qytetit. Para pallatit të kulturës ku do të zhvilloheshin aktivitet kulturore, historike dhe artistike, ishte vendosur një figurë e madhe e Gjergj Kastriotit Skenderbeut, ku sipër shkruhej: 2 mars 1444 – 2011, 567 vjetori i mbajtjes së kuvendit historik të Lezhës që ka hyrë në histori më emrin, Besëlidhja e Lezhës. Mbas pritjes që bëri kryetari Bashkisë së Lezhës Z. Vitor Tusha, autoriteteve vendore dhe kishtare në sallën num. 2 të pallatit, u organizuan disa aktivitete në përkujtim të kësaj date . Banda frymore e qytetit ekzekutoi himnin e bukur kombëtar. Pastaj kryetari i bashkisë Z. Vitor Tusha, mbajti fjalën e rastit, ku ndër tjera ai evidentoi punën që bëri Skënderbeu për bashkimin e gjithë princave shqiptarë në një ushtri të vetme, shpartallimin e ushtrisë turke, dhe krijimin e një komande të përbashkët shqiptare, ku Skënderbeu u zgjodh si komandant i përgjithshëm. Për 25 vjet ai diti ta bashkojë dhe ta udhëheqë popullin në luftë... në fitore. Trimëria, forca dhe besa ishin virtytet më të mira të tij. Në fjalët e përmbledhjes, z. Vitor Tusha tha: “Më 8 maj 2011, populli ynë shkon në zgjedhjet vendore të cilat janë një test nga Evropa dhe Amerika për popullin shqiptar. Edhe popullit lezhjan si popull i zgjuar i bëj thirrje të shkojë i gjithi për të votuar. Mendoni e mendoni , e pastaj vendosni kujt t'ia jepni votën. Nuk ka rëndësi vota, por për kë do të votoni. Mos e lini votën tuaj të digjet, sepse ajo ka shumë vlerë.”
Pastaj mori fjalën dhe përshëndeti Shkëlqesia e Tij Imzot Angelo Massafra Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult dhe qytetar nderi i Lezhës. “Besëlidhja, tha oratori, është kompromis. Prandaj nga kjo faltore i bëj thirrje qeveritarëve tanë që të ulen në parlament dhe të diskutojnë për problemet që ka populli dhe vendi ynë, të bëjnë kompromise, të lëshohet rrugë aty ku duhet ashtu siç bëri dhe i madhi Skënderbe. Shumë ligje të rëndësishme janë miratuar në parlament dhe ka ardhur koha që duhen lënë zënkat dhe të shikohet vetëm para. Populli ka nevojë për punë, për bukë, për një jetë më të mirë dhe jo për fyerje e zënka.”
Pastaj për të pranishmit i shfaq filmi i Skënderbeut.

Franc Radoja




Share






Kush jemi Orari i programeve Shkruaji redaksisë Prodhime RV Links Në gjuhë të tjera Selia e Shenjtë Qyteti i Vatikanit Kremtimet liturgjike të Papës
Përmbajtja e kësaj faqeje gëzon të drejtën e autorit ©. Administratori / Web-team / Kushtet ligjore / Reklama